BE kërkon miratimin e Ligjit për veprim klimatik, Nuredini thotë që deri në fund të këtij viti do të jetë para Qeverisë

Komisioni Evropian në raportin e të fundit për progresin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2021, në pjesën për ndryshimet klimatike, thekson që vendi duhet ta miratojë Ligjin për veprim klimatik, por edhe të bëjë përpjekje për ta implementuar atë që e kemi premtuar në Marrëveshjen e Parisit për ndryshime klimatike, të nënshkruar në vitin 2016, transmeton Portalb.mk.

Ministri për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Naser Nuredini në pyetjen e parashtruar të Meta.mk për vërejtjet e këtilla të Komisionit Evropian sot, tha që pritet deri në fund të këtij viti, Ligji për veprim klimatik të dorëzohet në qeveri, ndërsa në afatin më të shkurtë të mundshëm pastaj do të dërgohet edhe për miratim në Kuvendin e RMV-së.

Megjithatë, ministri Nuredini theksoi që sa i përket atij, thelbësore nuk është miratimi i ndonjë ligji, por zbatimi praktik i ligjit.

“Nuk bëhet fjalë për atë që nuk jemi të përgatitur, por për mua, si ministër është me rëndësi që të gjitha institucionet ta zbatojnë atë ligj, jo vetëm të miratojmë ligje për shkak se BE-ja këtë e kërkon”, sqaroi ministri Naser Nuredini.

Në pjesën e ndryshimeve klimatike, Komisioni Evropian, në raportin më të fundit thekson që harmonizimi i kornizës juridike të vendit me atë të BE-së mbetet në nivel të ulët, ndërsa resurset njerëzore dhe financiare janë shumë të kufizuara.

Megjithatë, në Raportin për progresin e reformave theksohet edhe që vendi e ka miratuar Strategjinë afatgjatë për veprim klimatik, me plan të dedikuar për veprim. Gjithashtu, kontributi i përmirësuar nacional ndaj ndryshimeve klimatike tani më është parashtruar dhe është në pajtim me Strategjinë afatgjatë për veprim klimatik dhe Strategjinë për energjetikë.

Përndryshe, Konferenca për ndryshime klimatike e Kombeve të Bashkuara KOP 26 fillon më 31 tetor në Glazgov. Në këtë ngjarje planetare, Maqedonia e Veriut do të duhet t’i prezantojë qëllimet afatgjata të vendit, të cilat tashmë janë përcaktuar me Strategjinë për veprim klimatik. Pra, vendi do të duhet t’i zvogëlojë neto emetimet nacionale të gazrave serë, pa emetime të përfshira nga aviacioni dhe importi i energjisë elektrike për 72%deri në vitin 2050 në krahasim me nivelin e vitit 1990.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button