fbpx

“Magjia e zezë” në RMV: Mashtrim, zhvatje e deri në gjendje për të bërë vetëvrasje

Ditëve të kaluara nëpër rrjetet sociale në RMV, janë shpërndarë disa video dhe fotografi në lidhje me një ngjarje të pazakontë në Shkup. Gjegjësisht, sipas disa postimeve, thuhet që te varrezat e Butelit, një grup i qytetarëve ka kapur një burrë dhe grua duke kryer ritual të “magjisë së zezë”, e cila sipas riteve dhe interpretimit që i bëhet, kryhet me qëllim për t’i bërë dëm shëndetësor, shpirtëror, psikik apo social ndonjë personi apo familje të caktuar, raporton Portalb.mk.

“Një magjistar kapet duke bërë sihër (magji) te varrezat e Butelit në Shkup”, thuhet në mbishkrimin e një videos në rrjetin social Facebook, e cila është shpërndarë me dhjetëra herë. Faqja që e ka shpërndare këtë video, ka publikuar edhe dy video të tjera, me përmbajtje nga ngjarja, por edhe një kolazh me disa fotografi. Në një video tjetër, përpos personit që në postim thuhet se është “magjistari”, ata gjithashtu pohojnë se atë e ka shoqëruar edhe një grua”, thuhet në postim.

Portalb.mk, u interesua në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nëse deri tek ata kanë lajmëruar për rastin në Butel, megjithatë ata thanë se rasti në Polici nuk është paraqitur dhe se po punojnë për të parë nëse në këtë rast është kryer eventualisht vepër penale.

Megjithatë, pavarësisht se “magjia e zezë” nuk përfshihet në Kodin Penal, veprimtaria e saj është shqetësim serioz për njerëzit që besojnë se ajo ekziston dhe që e përjetojnë si rrezik për shëndetin dhe jetën e tyre.

Mosprania e “magjisë së zezë” në Kodin Penal, nuk nënkupton që ata që e kryejnë këtë veprimtari i kanë duart e zgjidhura që të bëjnë çfarë të duan, madje t’i shqetësojnë njerëzit dhe familjet e tyre.

Redaksia jonë, ka arritur që të sigurojë të dhëna nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilat tregojnë se për shkak kësaj veprimtarie, ka pasur rast për tentim vetëvrasje.

“Në periudhën 2011-2021 janë paraqitur ngjarje – ankesa (gjithsej 2) për persona që eventualisht kanë lënë gjësende të ndryshme dhe kanë shkruar tekste të ndryshme – fjalë fyese dhe mallkime të cilat kanë vepruar si “magji të zezë” dhe i kanë shqetësuar të dëmtuarit. Është evidentuar një rast i tentimit të vetëvrasjes, një ngjarje ku një person ka paraqitur porosi shqetësuese në rrjetet sociale, por edhe 15 vepra penale”, thonë nga MPB për Portalb.mk.

Veprat penale në RMV lidhur me “magjinë e zezë” 2011-2021

Sipas të dhënave, veprat penale janë kryer, kryesisht nga ata që e “shërojnë” apo “heqin magjinë e zezë”.

  • Mashtrim (gjithsej 12), të cilat tregojnë se personat/të dëmtuarit i kanë sjellë në gjendje të hutisë duke u thënë se u është bërë “magji”, gjatë së cilës kryerësit për një shumë të caktuar parash kanë kryer rituale të ndryshme për “heqjen e magjisë”.
  • Zhvatje (gjithsej 1) ku personi nëpërmjet rrjeteve sociale, ka zhvatur para nga një person tjetër i cili gjoja, bashkë me një klerik, i “kanë bërë magji” të fejuarës së tij.
  • Vjedhje (1) ku një person është sjellë në gjendje të hutisë se i është bërë “magji” ndaj parave të tij, gjatë së cilës, kryerësit në moment të favorshëm i ja kanë marrë paratë.
  • Mjekësi popullore (gjithsej 1) ku një person është sjellë në gjendje të hutisë se i është bërë “magji” gjatë së cilës, për një kompensim parash i njëjti është trajtuar me medikamente të ndryshme të cilat kanë sjellë deri te helmimi.

Numri i vogël i veprave penale për një periudhë prej 10 vjetëve, dëshmon se kjo veprimtari ekziston në RMV, megjithatë nuk mund të themi nëse është pasqyrim i realitetit të veprave penale apo civile që kryhen nëpërmjet kësaj veprimtarie.

Kryerja e ritualeve të “Magjisë së zezë”, është veprimtari joformale e cila sipas rendit juridik në Maqedoninë e Veriut nuk përfshihet në asnjë ligj. Megjithatë, ka nene të caktuara të ligjeve dhe Kodit Penal, sipas të cilave, kryerësit e kësaj veprimtarie mund të ndëshkohen nëse, duke kryer punën e tyre kryejnë ndonjë vepër penale apo civile.

Megjithatë, këtu situata është e ndërlikuar, për shkak se sipas ritualeve, gjithçka bëhet në mënyrë të fshehtë dhe qytetarët e kanë të vështirë që të gjejnë prova që të dëshmojnë se dikush “u ka bërë magji të zezë” dhe me këtë u ka shkaktuar një dëm të caktuar. Madje, edhe në rastet kur ndihen të mashtruar nga ndonjë kryerës i këtyre ritualeve, qytetarët që besojnë në “magjinë e zezë”, e kanë të vështirë që t’u drejtohen institucioneve, për shkak “frikës” se kryerësit mund t’u shkaktojnë dëme atyre dhe familjeve të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button