fbpx

Kandidati në Kërçovë ka sulmuar gazetaren Salije Sadiku, Mollëkuqja: Mjaft me sulme ndaj grave

Gazetarja Salije Sadiku gjatë raportimit për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut është përballur me gjuhë të urrejtjes dhe akuza nga kandidati i pavarur i Kërçovës, Fatmir Limani. Sipas saj, dhjetëra burra mbështetës të Limanit që kanë qenë prezent në momentin kur ka ndodhur ngjarja, kanë duartrokitur sulmin ndaj gazetares, shkruan Mollëkuqja.mk.

Sipas Fatmir Limanit gazetarja në fjalë ka mbajtur qëndrime të njëanshme gjatë fushatës andaj dhe sipas tij nuk e ka merituar prononcimin e tij.

“Televizionet dhe gazetarët, të cilët gjatë gjithë fushatës kan mbajtur qëndrime të njëanshme nuk kanë pse drejtohen në zyrën time, për të marrë prononcime. Ky, ishte qëndrimi im..Nuk kam ofenduar, por nuk jam deklaruar.” tha Fatmir Limani.

Sadiku konfirmon për Mollëkuqen se është ftuar nga vetë shefi i shtabit, Bejtulla Emini, që të merr deklaratë. Ajo thotë se Limani i është drejtuar me të bërtitura, duke e akuzuar për humbjen e tij në zgjedhje, duke e akuzuar për qëndrime të njëanshme, gjë të cilën Sadiku e mohon. Ajo thekson që gjatë raportimit të saj gjatë fushatës ka qenë korrekte dhe profesionale në punën e saj si gazetare.

“Ekipi i TV21 bashkë me TV Klan dhe MTV ishim në ora 20 në shtabin e Limanit, nga atje shefi i shtabit na tha që nuk janë gati por do të presin rezultatet. Ai na tha se do të na lajmërohen kur te kenë pres-konferencë. Mua në ora 22:25 më ka arritur një mesazh nga shefi i shtabit të Fatmir Limanit ku thotë ju presim. Unë u nisa por për shkak të trafikut nuk arrita në kohë kur MTV po merrte deklaratë. Prita të përfundonin dhe në mes turmës ku kishte afro 100 vetë ju afrova me mirësjellje duke i kërkuar tē lidheshim live në studion e hapur. Më tha merre deklaratën nga kolegët, i thash në rregull por të lidhemi live. Ai u ngrit në këmbë dhe mu drejtua me këto fjalë: Nuk lidhem, ju jeni servil të pushtetit, ju jeni e keqja e popullit dhe fajtor për humbjen këtu jeni ju sepse i shërbeni pushtetit. Ai vazhdoi të flasë ende duke akuzuar pa bazë ndërsa unë nuk reagova, fillova të largohem, ndërkohë filluan fishkëllimat dhe duartokitjet si dhe brohiritjet. Dola jashtë shtabit dhe vazhdova punën.” tha Salije Sadiku, gazetare.

Nga ana tjetër, shefi i shtabit të Fatmir Limanit i ka kërkuar falje gazetares nëpërmjet një porosie, duke theksuar që duartrokitjet dhe brohorimat nuk i janë drejtuar asaj.

Sipas gazetares, sulmi ndaj saj është i dokumentuar nga ata që kanë qenë prezent, nëpërmjet videove, te të cilat Sadiku nuk ka qasje.

“Ka edhe video sepse simpatizantët e tij po xhironin po që si kam unë në dorë.” tha Salije Sadiku, gazetare.

Ndryshe, Fatmir Limani i cili në garën e zgjedhjeve lokale ka kandiduar si kandidat i pavarur sipas rezultateve të deritanishme të Këshillit Shtetëror të Zgjedhjeve ka marrë 19,76% të votave, në krahasim me Fatmir Deharin (BDI) i cili ka marrë 37,30% dhe Aleksandar Jovanovski (VMRO-DPMNE) me 38,42%.

Mollëkuqja dënon ashpër gjuhën e urrejtjes dhe sulmet ndaj grave 

Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” e cila lufton dhe mbron të drejtat e grave, dënon ashpër gjuhën e urrejtjes drejtuar grave në çdo sferë. Mollëkuqja për disa herë me radhë ka raportuar për respektim të të drejtave të grave gjatë proceseve zgjedhore, dhe atyre që janë të përfshira në politikë.

Para vetëm një muaji në protestën ku u kërkua përgjegjësi në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës, në të cilin humbën jetën 14 persona u përdor gjuhë e ulët dhe seksiste ndaj kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifit. Sipas “Mollëkuqja” gjuha seksiste ndaj grave që janë aktive në sferën politike ka kohë që është prezente dhe dekurajon gratë që të përfshihen në politikë, andaj kërkon nga institucionet të reagojnë dhe të dënojnë një gjuhë të tillë.

Raste të njëjta të sulmeve ndaj gazetareve gra janë të papranueshme, andaj partitë politike dhe politikanët duhet të jenë të kujdesshëm në mënyrën se si ju drejtohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button