Kurti: Jemi subjekti i parë, të kënaqur me rezultatin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti njëherit edhe kryeministër i Kosovës, tha se është i kënaqur me rezultatin e shënuar në zgjedhjet lokale që u mbajtën dje, transmeton Portalb.mk.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas rezultateve preliminare, në raund të parë nuk ka fituar asnjë nga 38 komunat, por në raundin e balotazhit do të garojë në 12 komuna.

“Jemi të kënaqur me këtë që kemi arritur, për shkak se edhe në nivel vendi sa i përket zgjedhjeve lokale, Vetëvendosja u bë subjekti i parë.” tha Albin Kurti.

Ai shtoi se partia e tij kurrë nuk ka qenë më e fortë, pasi theksoi se Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i parë edhe në nivel qendror dhe lokal. Megjithatë, ai theksoi se zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale nuk mund të krahasohen.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit 2021, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, duke fituar mbi 50 për qind të votave.

“Imazhi i Lëvizjes Vetëvendosje është më i fortë për çështjet nacionale. Në balotazh do të synojmë që të fitojmë të gjitha komunat që garojnë. Unë shpresoj, por edhe besoj që Arben Vitia do të jetë kryetar i kryeqytetit dhe më 15 nëntor do ta marrë detyrën aty ku duhet dhe ku kanë thënë edhe qytetarët e kryeqytetit.” tha Kurti.

Ndryshe, raundi i balotazhit, sipas ligjeve në fuqi duhet të mbahet katër javë pas raundit të parë. Në zgjedhjet e 17 tetorit, pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 43 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button