PLAZH, FILOZOFI DHE SHI (I)

I.    Qe disa vjet, një pjesë të pushimeve verore i kalojmë në xhevahirin hyjnor falur Shqipërisë tonë, në Dhërminë me ujin ngjyrë tirkizi, të bruztë e të pastër si loti, ndonëse çmimet çdo vjet po shkojnë duke u ngritur; me gjasë pas disa vitesh do arrijnë ato të Kroacisë. Vitin e kaluar me një grup shokësh paguam një darkë peshku astronomike që sivjet, grupit të njëjtë minus ne (për shkak të obligimeve akademike) shumë më lirë iu doli në Tropea të Italisë,  “Most beautiful village in Italy” (2021), e njohur për themeluesin Herkul dhe restorantet që ofrojnë fruta deti të freskëta. Por kjo është një nga sekuencat ekonomik, të cilët i lëmë anash. Diçka që më tepër të bën të shqetësohesh është sjellja apo mënyra e komunikimit me ne si klientë, që është për t’u habitur, që s’arrijmë dot ta kuptimësojmë. Një tmerr sivjet përjetuam nga parkimi i veturës deri te qëndrimi në një shtëpi private, e prenotuar disa ditë përpara. Me të arritur, mësuam se një dhomë e “jona” i ishte dhënë dikujt tjetër; shëtit poshtë-lart, ndërkohë çmimi lëvizi, shkoi më lart për rreth dhjetë euro krahasuar me atë të telefonatës. Edhe këtë e kapërdimë. Dhe ditën e tretë, në plazh, aty ku i kaluam dy ditët e para, me çadrat tona, dhe ku kishim qëndruar edhe vitin e kaluar, na u shfaq një çun me çantë, i cili me një zë të vrazhdë na kërkoi që të hiqeshim andej. “Në rregull” – i thamë – “do ndërrojmë vend, për 15 minuta.” “Jo, tani, menjëherë, në çast” – këlthiti në formë kërcënimi. Dhe pas pak tregoi se duheshte të paguajmë nga shezlonget e vendosura në fqinjësi. Dhe, pasi mësuam që edhe plazhi pa çadra ishte në koncesion, paguam. I bëmë katër ditë, por me zemër të thyer, të ballafaquar me një arrogancë të paparë. Filluam të pyesim veten se si ka mundësi këta njerëz që mund të bëjnë paranë e botës me këto resusrse të jenë kaq agresivë, t’i bien me shqelm bukës, ta trajtojnë turistin si “kategori të ulët”, si “shudrat në hinduizëm”, sikur u kërkojmë apo u marrim gjë e nuk u japim. Na dolën tamam fjalët e Edmond Arizajt para gjashtë viteve: “Pushon thashë?! Duhet të ishte: vuan. Për të thënë turist nuk bëhet fjalë. Është një përleshje, një zënkë e përditshme mes injorantësh të zbritur nga katundet që kanë pranë detin e dhuruar bujarisht nga Perëndia, që duan të rrjepin, të zhvatin, të kafshojnë pa ofruar asgjë…” “Për të mos folur për të bërtiturat, ushqimin skandal dhe të njëtrajtshëm, shërbimin që nuk ekziston as në dhomat e atyre që gabimisht quhen hotele, faturat që të vijnë me shkrim dore dhe që t’i sjellin ca turinj që duket se i kanë sjellë me zor. Duhet shumë ditë që të shohësh një surrat që buzëqesh.” …”Ai që paguan është mbreti. Këtë e dinë shumë mirë të gjithë matanë kufijve tanë.” (Tema, 18.8.2015) Vërtet në vendet tjera e dinë se turisti nuk trajtohet si klient me afat skadimi për atë vit, por si misafir i viteve në vijim, si një njeri që mbresat i përcjell edhe te të tjerët dhe krijon imazh për lokalin, qytetin, vendin, kombin. Turizmi para së gjithash është kulturë.

II.    Çarshia e Shkupit kohëve të fundit ka filluar të ndryshojë lëkurë, ka nisur të kulturizohet dhe të intelektualizohet. Si një hapësirë tregtare, të gjithë e njohin si vend pazari apo siç i thënë në persishte bazar. Aty tanimë ka një universitet (UEJL), matanë saj një librari (Nobel), ku pos ritualit të blerjes së librave, kohë pas kohe zhvillohen edhe promovime librash, debate të frytshme. Këtë tetor morëm pjesë në promovimin e një libri të filozofisë, në një tour de force U zhvillua një seancë dialogu rreth Hegelit. Një temë që është e rrallë dhe ndodhi e vërtetë edhe për qendra shumë më të mëdha kulturore se Shkupi, andaj mund të thuhet se ishte privilegj për këtë qytet të jetë nikoqir i një eventi të tillë. Sebepi i takimit ishin Robert M. Wallace dhe Blerim Latifi, vepra Çka mund të mësojmë sot nga Hegeli?, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2021. Libër, që siç shprehet Ag Apolloni paraqet një “diskutim mbi një rrjet idesh, nga antikiteti deri më sot, duke pasur përherë në qendër Hegelin.” Debati u hap me qëndrimin se filozofia është një diçka përtej aparencës, dukjes, sipërfaqësores, diçka sublime, e thellë, që e ngre më lart stekën e diskursit, si një term  që e prish kursin e ordineres dhe shablloneve. U theksua se Hegeli, kjo bazë e metafizikës perëndimore, autor i veprës emblematike “Fenomenologjia e Frymës”, s’do të mund të komercializohet kurrë si tekst, si libër. Më tej u nënvizua se të merresh me filozofi do të thotë të edukohesh mbi lirinë. Në fakt filozofia, si punë e pakruer, si udhëtim i vazhdueshëm, është zgjerim i lirisë dhe të kuptuarit liria individuale është liri e tjetrit, njëra është e lidhur me  tjetrën. Prof. Latifi mes tjerash elaboroi keqkuptimin e konceptit hegelian për shtetin e hyjnizuar apo të absolutizuar. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button