fbpx

Zgjedhje lokale në Kosovë

Janë hapur në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës në orën 07:00 qendrat e votimit për qytetarë për procesin e zgjedhjeve të rregullta lokale të 17 tetorit, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto zgjedhje për kryetarë të 38 komunave janë të pestat me radhë, ndërsa për anëtarët e Kuvendeve Komunale janë të shtatat me radhë, që nga mbajtja e parë e tyre në periudhën e pasluftës, në vitin 2000.

Në këto zgjedhje sipas Komisionit Qendrorë Zgjedhjeve (KQZ) do të garojnë për postin e kryetarit të komunës 166 kandidatë, ndërsa rreth 5 mijë e 300 kandidatë garojnë për pozitën e anëtarit të Kuvendit Komunal në komunat përkatëse.

Numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara për këto zgjedhje është 89, prej të cilave 32 janë parti politike, 33 iniciativa qytetare, 1 koalicion dhe 23 kandidatë të pavarur.

Gjithsej 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë do të kenë të drejtë vote apo 90 mijë e 586 votues më shumë, në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që u mbajtën më 14 shkurt të vitit 2021.

Fushata zgjedhore, ku përfaqësuesit e subjekteve politike kanë prezantuar programet zgjedhore, filloi më 16 shtator ndërsa zgjati 30 ditë.

Vendvotimet do të jenë të hapura nga 07:00 deri në orën 19:00, ndërsa në dispozicion të qytetarëve do të jenë 883 qendra të votimit, me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Sa i përket masave mbrojtëse ndaj koronavirusit të ri (COVID-19), KQZ ka kërkuar nga komisionerët dhe vëzhguesit e këtyre zgjedhjeve të jenë të vaksinuar apo të kenë dëshminë se janë negativë në koronavirus apo se e kanë kaluar sëmundjen. Por, ky rregull nuk do të vlejë edhe për votuesit, të cilët do të duhet që gjatë votimit të jenë të pajisur me maska mbrojtëse dhe të mbajnë distancë fizike.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë u mbajtën më 22 tetor të vitit 2017 me 44,1 për qind të pjesëmarrjes në votime.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button