Tronditja nga kleptokratët

Polonia dhe Serbia po paraqesin një kërcënim të tërthortë dhe të drejtpërdrejtë për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor. Si vend anëtar i BE-së, Polonia me veprimet e fundit po largohet nga vlerat e unionit, kurse Serbia si kandidate me politikat nacionaliste po bëhet një kërcënim i ri për vendet fqinjë. Kremtimi i 60 vjetorit të Lëvizjes së Painkuadruarëve në Beograd (11-12 tetor), një lëvizje e themeluar në kohën e Luftës së Ftohtë (1955), është një përpjekje e re e Serbisë për të harruar të kaluarën dhe vazhduar me mjete tjera për t’i arritur qëllimet afatgjate. Ndërkohë, Presidenti amerikan Joe Bajden njoftoi synimin e tij për të emëruar ish diplomatin e karrierës Kristofer Hill, si ambasador fuqiplotë dhe të jashtëzakonshëm në Serbi. Ashtu siç po ndryshon Evropa, njëkohësisht edhe SHBA-ja planifikon që Ballkani të qëndrojë stabil qoftë edhe pa një BE e cila nuk arrin t’i përmbushë objektivat e saja të zgjerimit jashtë kufijve aktual. Natyrisht problemet e brendshme që shtetet e rajonit ballafaqohen datojnë që kur Perandoria Osmane u shpërbë dhe Lufta e Ftohtë përfundoi.

1.Askush nuk e priste që demokracitë më të reja të Evropës Qendrore do të trazohen aq keq. Dhe largimi nga vlerat e BE-së do sillte një rilindje të shoqërive të mbyllura që refuzojnë emigrantët ose planifikojnë ndërtimin e mureve të reja në mes të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Një shembull të keq po jep Polonia dhe Hungaria e që kanë reflektuar në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti në Serbi, Bosnjën Serbe dhe në sektorë të ndryshëm të shoqërisë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe në Shqipëri, ku qeveritarët nuk e kanë frikë ligjin dhe pothuajse e kanë rrënuar shtetin. Pavarësisht se pse BE-ja dhe Ballkani Perëndimor po largohen njëri nga tjetri, po të njëjtit duhet të jenë të vendosur të mbrojnë ato vlera demokratike që janë shumë të rëndësishme për shoqëritë e Ballkanit.

Aktualisht në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, përsëri është kthyer pesimizmi i vjetër. Një dozë e lartë pasigurie vazhdon të qëndrojë në mendjet e banorëve të Ballkanit nga veprimet e forcave radikale në veri të Kosovës dhe nga propaganda e qeverisë serbe për të minuar rendin kushtetues të shteteve fqinjë. Kjo njëherit lë hapësirë për zhvillimin e ideve separatiste që çojnë drejt formimit të njësive të veçanta federale në kuadër të shteteve aktuale ose shkëputje.

2.Bashkimi Evropian siç shihet nuk ka kapacitete të ndërhyjë në krizat e Ballkanit dhe si duket e vetmja forcë ashtu siç kemi vënë në dukje më herët, mbetet SHBA-ja, e cila me anë të diplomatit të lartë të Stejt Departamentit Pablo Escobar mund të arrijë disa suksese në dialogun në mes Serbisë dhe Beogradit. Por, edhe këtu nuk duhet shpresuar aq shumë se sa do të mund  diplomatët Escobar dhe Hill të bindin palën serbe të njohë Kosovën ose nënshkruar një marrëveshje përfundimtare e historike me Kosovën me çka Ballkani do të hynte në një fazë të qëndrueshme stabiliteti.

Ashtu siç jemi mësuar se SHBA-ja mund të zgjidhë çdo gjë përshkak të fuqisë dhe autoritetit ndërkombëtar, mund të ndodhë që Ambasadori Hill të ndeshet me disa kufizime në misionin e tij, sepse ai po ndryshon shumë nga i viteve të 90-ta ose më saktë prej 1998-99-tës. Fundja nëse nuk kemi një Serbi demokratike dhe shtylla të forta të rendit dhe qeverisjes së mirë në Kosovë, marrëveshjet e arritura dhe ato që mund të nënshkruhen nuk do të mund të zbatohen, për arsye të forcave radikale dhe politikave të qeverive për të vazhduar me të vjetrën. Me rëndësi këtu është se si më tej do të veprojnë shtetet e WB-së poqese BE-ja me të vërtetë do t’i lë vetë  në rrugën e drejtësisë, pasi vetë shtetet e WB-së i kanë sjellë punët që nga mos plotësimi i kritereve BE-ja t’i refuzojë vazhdimisht. Këtu si opsion mbetet që qeveritë e rajonit të vazhdojnë të forcojnë veten me ndihmën amerikane për një botë tjetër e cila do të sillte Uashingtonin me afër Ballkanit Perëndimor. Në rrethanat aktuale, duhet pranuar se politika e jashtme amerikane mbetet e njëjta në fraza të përsëritjes “se shteti ligjor dhe lufta kundër korrupsionit mbeten përparësi strategjike e Uashingtonit në Ballkan.”

Megjithatë, rrënimi i demokracisë nga semi-autokratët e Ballkanit gjatë kohës së dhënies së premtimeve nga BE se do të zgjerohet së shpejti dhe disa momente të heshtjes së administratës amerikane rreth korrupsionit në Ballkan, e bëjë ende më të vështirë ndërtimin e shtetit ligjor. Tash për tash askush në D.C. nuk ka guximin të ndërmarrë një fushatë të gjerë të largimit të zyrtarëve të dyshuar në Ballkan, përshkak të vënies si përparësi të stabilitetit që është i lidhur ngushtë me mungesën e marrëveshjeve në shkallë ndërkombëtare nëse duhet ndërtuar apo dizajnuar Ballkanin në vija etnike apo multi-etnike. Sidoqoftë BE-ja dhe SHBA-ja duhet të jenë më të prerë ndaj udhëheqësve lokalë që kinse po sigurojnë paqen, ndërsa nga ana tjetër janë burimi i zhvillimit të kleptokracisë, të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button