fbpx

Velevska: Shteti është i shurdhër për pacientët tanë me kancer, paguajmë gjithkund përveç Onkologjisë

Një nga sëmundjet me të cilën përballen rreth 1,200 gra në vit në Maqedoninë e Veriut është kanceri i gjirit. Muaji tetor në botë njihet si muaji për ndërgjegjësimin dhe informimin me qëllim të parandalimit të kësaj sëmundje vdekjeprurëse në raste të caktuara, shkruan Portalb.mk.

Natasha Dackovska Velevska ka kaluar në rrugën e një pacienti me kancer të gjirit, ajo për Portalb.mk tregoi historinë e saj hapur mbi këtë sëmundje dhe sfidat që ka kaluar gjatë trajtimit.

Kjo është historia e saj:

“Për herë të parë në 1997 e largët,  kuptova se kisha një tumor në gjirin tim të majtë, por për fat të mirë ishte beninje. Pas 2 vitesh ndjekje të rregullta më duhej të operohesha dhe mjekët ma hoqën tumorin i cili ishte i madh sa një portokall. Isha 25 vjeçe kur u diagnostikova për herë të parë me tumor, ishte një tronditje për mua. Operacioni shkoi mirë, por pas një kontrolli pas 6 muajsh, ai u shfaq përsëri dhe më dërgoi te gjinekologu, u ekzaminova nga një gjinekolog dhe duhej të bëja një operacion në qafën e mitrës, sepse kishte qeliza kancerogjene.

Pas kësaj, bëja kontrolle të rregullta dhe gjithçka ishte në rregull, të paktën kështu më thanë mjekët se nuk kishte vend për panik. Në vitin 2009 isha shtatzënë dhe për ndonjë mrekulli linda fëmijën pa e pasur qafën e mitrës. Ai lindi para kohe, por ne e kaluam edhe atë periudhë të keqe. Në vitin 2012, burri im vdiq papritur dhe këtu filloi Golgota. Stresi, tronditjet, netët pa gjumë, e gjithë barra ishte mbi mua dhe nuk kisha kohë të vihesha nën kontroll. Dhimbja u bë më e fortë, por të gjitha më thanë se isha e lodhur. Ishte vera e vitit 2015 dhe duke luajtur me të voglin, pata shumë dhimbje, por meqë ishte koha e pushimeve, nuk gjeta një takim dhe mjek. Më në fund, më 13 tetor 2015, unë shkova për eho, të nesërmen bëra mamografi, e ndjekur nga biopsia, dhe më 5 nëntor 2015 u operova.

Mu largua tumor prej8 cm, faza e tretë A me tetë nyje limfatike. Më dërguan në onkologji, ku më përshkruan 8 trajtime kimioterapie dhe 25 seanca rrezatimi. Rruga ishte me gjëmba, në katër të parat përfundoja te ndihma e shpejtë, katër tjerat ishin me dhimbje kockash. Kur erdhi rrezatimi, pata djegie më duhej të fshihesha nga dielli sepse ishte korriku. Por fillova të kem dhimbje të gjirit, ai më dha antibiotikë, por inflamacioni dhe temperatura e nuk u qetësuan, pasoi një biopsi dhe më duhej të bëja një operacion tjetër. Edhe një herë shok!

Më 22 dhjetor 2016, pata një operacion tjetër, por shërimi im zgjati shumë dhe ishte i vështirë. Ndërkohë, u shfaq një problem gjinekologjik ku duheshin kryer 3 kiretazhe, e fundit prej të cilave ishte një polip i endendometriumit dhe para qelizave të kancerit. Më duhej të bëja një operacion për të hequr mitrën dhe vezoret, dhe kjo ishte më 28 shkurt 2020, kur do të humbja jetën sepse kisha një alergji ndaj anestezisë.

Rruga është shumë e vështirë, veçanërisht kur jeni vetëm dhe nuk keni mbështetje. Trajtimi është i vështirë. Vizitoj një psikolog gjatë gjithë kohës sepse frika është e madhe. Gjatë gjithë kohës mendoja se kisha kancer dhe se do të vdisja. Përndryshe, shteti është i shurdhër për pacientët tanë me kancer. Paguajmë gjithkund përveç onkologjisë. Më duhej të merrja hua që të mund të mbijetoja. Ne kemi nevojë për shumë vitamina, të cilat kushtojnë, shumë egzaminime. Kryesisht na rekomandojnë të shoqërohemi me njerëz pozitiv.

Unë mendoj se te ne ende është  tabu tema e  kancerit dhe njerëzit nuk dëshirojnë të flasin për të dhe nuk shkojnë në kontrolle. Unë tani do bëj gjashtë vite nga ku luftoj me këtë sëmundje të keqe dhe nuk e di sa kompjuterë, magnetë, teste kam bërë dhe ende shkoj çdo muaj në onkologji për kontroll.”

Ndryshe, sipas të dhënave të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut në ditë diagnostikohen tre deri në katër gra me kancer të gjirit. Komunat në të cilat kjo lloj sëmundje vitet e fundit është më e pranishme janë Vinica, Koçani dhe Shën Nikolla, ndërsa pacientja më e re e diagnostifikuar me kancer në gji është e moshës 17 vjeçare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button