Ditët e fundit të fushatës në RMV, partitë kanë vazhduar aktivitet parazgjedhore

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë vazhduar aktivitetet e tyre parazgjedhore, në ditët e fundit të zgjedhjeve lokale, të cilat mbahen këtë të diele, transmeton Portalb.mk.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev sot nga tubimi i mbajtur në Butel, ka porositur se pushteti qendror do të vazhdojë t’i ndihmojë komunat për zhvillim më të shpejtë të çdo komune dhe realizim në kohë të të gjitha projekteve që janë me rëndësi për qytetarëve.

“700.000 euro kemi investuar në zhvillim të infrastrukturës rrugore këtu në Butel. Në zonën industriale Vizbeg kemi vendosur rrjet të ujësjellësit dhe kanalizimit. 312 banesa sociale ndërtohen në Butel, është ndërtuar kopshti “Shën Klimenti Ohrit”, u rikonstrua SHFK “Liman Kaba” në Luboten”, ka thënë Zaev.

Lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski nga tubimi i mbajtur në Probishtip, porositi për dalje masive në zgjedhje. Ai premtoi se do ta kthejë dinjitetin dhe buzëqeshjet në komunën Probishtip dhe Maqedoni.

“Dëshiroj të ngre alarmin më të lartë ta dërgoj deri te njerëzit në Probishtip, deri te njerëzit në Maqedoni, dilni në zgjedhje që të mos lejojmë të na vjedhin ardhmërinë. Dilni herët në mëngjes sa më masivisht që është e mundur, në numër sa më të madh të mundshëm”, theksoi Mickoski.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti nga Kërçova, Ali Ahmeti në fjalimin e tij ka shprehur përkrahjen ndaj kandidaturës së Fatmir Deharit duke e vlerësuar lartë punën e tij të dëshmuar në krye të komunës.

“Në projekt e sipër është gazifikimi që vitin e ardhshëm të depërojë në Kërçovë që ndihmon Agjendën tonë të mos ndotet ajri. Mbi shpatullat e mia ka përgjegjësi të mëdha në përzgjedhjen e kuadrove përfshirë dhe Fatmir Deharin. Unë shfrytëzoj tre instanca, bazën-degën, qendrën ku jam dhe unë si dhe popullin. Dhe unë e respektoj vullnetin e shumicës së popullit sepse ky është kapitulli i ri”, ka theksuar kryetari i BDI-së Ahmeti.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa sot kanë mbajtur tubim në Çair. Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela tha se tani ndryshon puna, ngase do të mbrohet vullneti i shqiptarëve i shprehur me votë.

“Ne do të duhet të angazhohemi edhe në këto pak ditë, në mënyrë që fitoren ta mbajmë të sigurt dhe të pastër. Dhe sa më tepër angazhoheni ju më tepër ua ndalin hapat atyre të cilët nuk dinë asgjë tjetër përpos kërcënimit, shantazhit, hajdutërisë që e kanë dëshmuar, edhe në zgjedhjet e kaluara këtu në Çair”, tha Sela.

Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami është takuar me banorët e Lagjes Migjeni.

“Si një ndër lagjet më të mëdhaja të qytetit i nevojitet një ndryshim rrënjësor. Prioritet i jonë është rregullimi i infrastrukturës rrugore në këtë lagje, si dhe ndërtimi i menjëhershëm i një objekti shkollor”, ka theksuar Kasami.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button