Masat e reja kundër Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut, pas zgjedhjeve

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se zgjedhjet lokale, që mbahen më 17 tetor, nuk do ta rrezikojnë jetën e qytetarëve nëse respektohen masat kundër koronavirusit, raporton REL. Sipas protokolleve për parandalimin e COVID-19, që janë bërë publike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sëmundje infektive, duhet që vazhdimisht të dezinfektohen dhe ajrosen hapësirat ku qytetarët do të votojnë.

Sipas këtyre rekomandimeve, qytetarët gjatë procesit të votimit duhet të mbajnë masë dhe distancë fizike.

“Votuesit gjatë hyrjes brenda në hapësirë, së pari i dezinfektojnë duart dhe para se të paraqesin dokumentet personale, largojnë maskën për t’u identifikuar, duke respektuar distancën e nevojshme”, thuhet në udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit për Sëmundje Infektive.

Ndërkaq, autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë bërë të ditur se pas gjysmës së parë të muajit tetor do të vendosen masa plotësuese shtrënguese, që kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejmë të koronavirusit.

Ndryshe, partitë politike në vazhdimësi thonë se primare për ta mbetet respektimi i protokolleve kundër koronavirusit. Megjithatë, në fotografitë që partitë shpërndajnë në rrjetet sociale, në tubimet partiake shihen shkelje të masave, pasi aktivistët dhe drejtuesit e partive shpesh nuk mbajnë as maska e as distancë.

Sipas të dhënave, në Maqedoninë e Veriut aktualisht janë rreth 7,000 raste aktive me COVID-19. Ndërkaq, 35 për qind e popullatës deri më tani është vaksinuar me të dy dozat e popullsisë dhe 38 për qind e qytetarëve kanë marrë një dozë të vaksinës kundër koronavirusit të ri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button