Fushata zgjedhore në RMV, partitë pa i respektuar masat anti-kovid, vijojnë me premtime për ta fituar besimin e qytetarëve

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, kanë vazhduar me fushatën zgjedhore nëpër komunat e vendit duke u premtuar projekte të ndryshme me qëllim që ta fitojnë besimin e tyre për zgjedhjet komunale të 17 tetorit. Pavarësisht se numrat e infektimeve me KOVID-19 vazhdojnë të jenë të larta, ashtu siç mund të shihet edhe nga fotografitë, shumica e mitingjeve partiake mbahen sikur të mos jenë në kohë pandemie. Shumë prej funksionarëve të partive bëjnë sfilata nga një qytet në një tjetër pa maska e distancë sociale, që sipas protokolleve të shtetit është rreptësishtë e ndaluar, shkruan Portalb.mk.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në mitingun në Sveti Nikole premtoi se do të investojnë mbi 110 milionë euro në burime të rinovueshme dhe komunën do ta bëjnë zonë të gjelbër dhe ekologjike.

“Këtu tanimë e kemi konfirmuar edhe me miratim për ndërtim, investim për mullinj të erës prej 36 megavatëve e cila kap vlerën e 50 milionë eurove. Kemi shpallur investim strategjik nga kompania EFT, termocentral fotovoltaik prej mbi 80 megavatëve, projekt me vlerë 60 milionë euro, a vetëm me kryetarin e komunës bisedojnë investitorë që të investojnë mbi 50 milionë euro. Sveti Nikolen do ta brendojmë si komunë të “gjelbër” ekologjike”, tha Zaev.

Ai gjithashtu ka premtuar që prej 1 janarit do të ketë pagë minimale prej 300 eurove, ndërkaq pagë mesatare prej 500 eurove.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka marrë pjesë në një miting të partisë në Petrovec të Shkupit. Ai nuk ka dhënë premtime konkrete, fjalimi i tij nuk ka qenë me premtime konkrete, por ai ka sulmuar oponentin e tij politik Zaev për disa çështje, gjegjësisht ka akuzuar se në shtet është rritur varfëria.

Ali Ahmeti nga Bogovina tha se BDI ka Platformë zgjedhore e cila garanton zhvillimin e komunës dhe investime më shumë. Kandidati i BDI-së për kryetar të Bogovinës, Besnik Emshiu tha se do të angazhohet për përmirësimin e klimës së biznesit dhe jetës më të mirë të banorëve.

“Do të ndërtojmë komunë moderne e të zhvilluar, transparente e të përgjegjshme, si dhe vendbanime me zhvillim të barabartë. Do të angazhohemi për përmirësimin e klimës së biznesit, gjë për të cilën siguron mbrojtje të investitorëve, zbatim të përpiktë të marrëveshjeve, lehtësimin e procedurave të marrjes së lejeve, regjistrimit dhe kushteve të volitshme për biznes. Do të vazhdojmë me projektet jetike siç janë projektet për kanalizim për të gjitha vendbanimet e komunës, projektet  për ujë për pije, shtimin e sasisë së ujit për pije në të gjitha vendbanimet e komunës, përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rregullimin e shtretërve të lumenjve dhe në veçanti rregullimin e shtratit të lumit në Bogovinë prej te ura deri ne magjistralen M-4. Përveç shumë projekteve të parapara, do të angazhohemi edhe për bashkëpunim të mirë me komunat fqinje dhe realizimin e projekteve ndërkufitare me Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë”, ka theksuar, Emshiu.

Koalicioni ASH dhe Alternativa në Tetovë dhe Saraj. Ziadin Sela bashkë me kandidatin për kryetar të Tetovës, Vullnet Murseli kanë takuar kandidatet femra për Këshill të Komunës së Tetovës. Sela tha se pozicioni i femrës nuk është ku duhet në këtë shoqëri të mbrapsht. Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, agjendën e tij të takimeve bashkë me partnerët e koalicionit ASH, e ka vazhduar në Komunën e Sarajit. Në fjalën e tij para banorëve të Sarajit, Gashi kërkoi mbështetje për koalicionin duke theksuar se 17 tetori është dita e ndryshimit të rrethanave politike në vend.

Kandidati për kryetar të Shkupit, Petre Shilegov, sot ka vizituar Draçevën ku premtoi zgjidhje të kaosit të komunikacionit.

“E zgjidhim çështjen e komunikacionit për 50 vitet e ardhshme! Shkupi do të jetë qytet pa tollovi në komunikacion, me zonë më të madhe këmbësore në qendrën e qytetit. Sot e prezantova planin me të cilin bulevardin “Maqedonia” e ngjisim me “Koço Racin” dhe “Bihaqka” me 2 rrethrrotullime dhe tunele nën objektin e Limak deri në ndërtesën e ish “Nova Makedonija”. Në këtë pjesë do të ndërtohen rrethrrotullim i madh në udhëkryqin te “Nova Makedonija” me çka e zgjidhim edhe këtë fyt të ngushtë të komunikacionit në qytet. Ky korridor do të mundësojë që pa kaluar në qendër të qytetit, qytetarët të udhëtojnë nga Kisella Voda dhe të arrijnë në Karposh dhe Gjorçe Petrov”, tha Shilegov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button