BREZI I KOHËS KALIMTARE

Më duket sikur vitet kanë kaluar me shpejtësi marramendëse sa nuk kam kujtime të bukura për ta freskuar vjeshtën jetësore.

Dhe ende flitet për temat e njëjta.

Ende merremi me idetë e njëjta.

Ende rrotullohemi te kërkesat e njëjta.

Ende përpëlitemi në botën tonë provinciale, të rënduar nga rutina, klishetë, refrenet, mendimet e gatshme.

Ende politika është sporti më popullor.

Ne pjesëtarët e brezit të udhëkryqit, brezit të humbur, përjetuam shumë trishtime dhe pak gjëra të bukura.

Nuk e jetuam jetën e ëndërruar në rini.

Jetuam në periudhë kohore dinamike, me shumë ngjarje tronditëse.

Ndërruam disa pasaporta dhe jetuam në sistemin komunist, vetëqeverisës, pluralist.

Protestuam në demonstrata dhe e njohëm efektin e gazit lotsjellës.

Përjetuam disa luftëra dhe shkatërrime perandorish dhe shtetesh (ish – BRSS, ish – Çekosllovakia, ish – Republika Demokratike e Gjermanisë, ish-Jugosllavia, ish-Serbia dhe Mali i Zi, ish- republikat jugosllave, ish-krahinat autonome, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ish-Maqedonia).

Jetuam në meskohë kalimtare, emergjence, me ekonomi ekzistenciale.

Jetuam në pritje të përhershme.

Brezi i udhëkryqit kishte ëndrra dhe iluzione.

Ishte më shumë idealist dhe më pak pragmatist se sa duhej.

Ishte ngulmues dhe sakrifikues.

Iu bashkëngjit çdo nisme për një botë më të mirë dhe përherë mbeti i zhgënjyer.

Kam ndjesinë se koha e këtij brezi ka përfunduar.

Idealet e tij u nëpërkëmbën dhe u keqpërdorën nga mashtruesit që besojnë se do të blejnë edhe vend nderi në histori.

Është koha kur në skenën publike duhet të ngjitet një brez i ri, të cilit nuk duam t’i besojmë, sepse duam të jetojmë në një kohë të ngrirë.

Është koha që ne pjesëtarët e brezit të udhëkryqit të lëmë shënimet tona për kohën e jetuar, që brezat e ardhshëm mos t’i marrin si modele maskarenjtë e kohës sonë.

Nuk ishim aq të zotë sa duam të tregohemi.

Po të ishim ndryshe, atëherë brezi i ri nuk do t’i paguante këstet e dështimeve tona.

Ky brez duhet të udhëhiqet nga një vizion i ri.

Duhet ta ndërtojë një histori të re kulture.

Duhet të lë gjurmët e tij në kohë.

Është koha që të dalë nga kthetrat e plogështisë dhe indiferencës.

Është koha e tyre.

Është mundësia e tyre që duhet ta shfrytëzojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button