fbpx

Terr në Skejtparkun e Tetovës, komuna ende s’i ka vendosur dritat

Ende nuk është instaluar ndriçimi publik te Skejtparku në Tetovë, janë vendosur vetëm shtyllat, edhe pse u premtua i njëjti. Pas rikonstruimit të tij muajin e kaluar, Komuna e Tetovës për Portalb.mk në fillim të shtatorit tha se ndriçimi është instaluar dhe ka përfunduar, por pamjet nga terreni dëshmuan se ndriçimi nuk është instaluar ende. Komuna e Tetovës tha se momentalisht po punohet në fshatrat e malësisë, kur të përfundojnë atje do të rregullohen edhe shtyllat te skejtparku.

 Pas dy viteve anashkalim, më në fund u bë rikonstruimi i hapësirave të skejtparkut, që paraprakisht  ishte e lënë pas dore nga autoritetet komunale dhe e mbushur me mbeturina, kullosa të gjata, degë pemësh dhe të tjera që e pamundësonin hyrjen dhe shfrytëzimin e këtyre hapësirave.

Sot këto të fundit nuk ekzistojnë më si dhe gjithashtu është bërë lyerja e pajisjeve në këto hapësira, janë mbjellë drunj dhe fidanë të ndryshme dhe tani të rinjtë mund të shfrytëzojnë përsëri këto hapësira për të organizuar ngjarje të ndryshme si më parë.

Ajo çfarë është realizuar pjesërisht është instalimi i ndriçimit publik, shtyllat janë vendosur por nuk kanë dritë. Nga Komuna e Tetovës dje për Poralb.mk e konfirmuan se ndriçimi është instaluar dhe ka përfunduar, por pamjet në teren mbrëmë treguan të kundërtën, shtyllat nuk punonin. Të vetmet shtylla që kanë dritë në këtë hapësirë, janë ato përgjatë rrugës për te stacioni i autobusëve ku të njëjtat ndriçojnë vetëm një pjesë anësore të skejtparkut.

Se pse nuk janë vendosur të njëjtat pyetëm Komunën e Tetovës, nga ku na thanë se për momentin po punohet në fshatrat e malësisë, dhe kur të përfundojnë atje do të rregullohet edhe ndriçimi te Skejtparku.

Të pyetur se kur do të vendoset ndriçimi në këtë pjesë nga komuna u përgjigjën kështu: “Sapo të përfundojë atje, sepse është punë në teren plus kushtet e motit janë të tilla”, duke mos dhënë detaje të tjera.

Kështu duket skejtparku gjatë natës, pamjet e marra mbrëmjen e djeshme:

This slideshow requires JavaScript.

Paraprakisht, në mungesë të kujdesit nga autoritetet ndaj skejtparkutdisa aktivistë të rinj bënë pastrimin e kësaj hapësire nga mbeturinat, kositjen e barit, lyerjen e ulëseve të cilat ishin vjetërsuar si dhe rehabilitimin e përgjithshëm të tij nga vandalizmi i qytetarëve dhe nga mosmirëmbajtja institucionale. Portalb.mk ishte në teren dhe e ndoqi punën e tyre atë kohë.

Portalb.mk muajin e kaluar ishte te skejtparku në Tetovë, dhe situata ishte shumë ndryshe nga ajo që dukej në fillim dhe pas pastrimit nga aktivistët. Mbeturina, kullosa të gjata dhe degë pemësh ishin tre elementet e para që të bienin në sy në zonën e skejtparkut, grumbullimi i të cilave në disa pjesë edhe e pamundësojnë hyrjen deri tek skejtparku. Gjithashtu ndriçim publik nuk ishte vendosur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button