Lindita Ahmeti: Përçarjet politike e kanë ndarë hapësirën tonë letrare

Lindita Ahmeti është një nga poetet tona më të mira, poezinë e së cilës kritika e ka vlerësuar me notën më të lartë. Lindita, tashmë është një emër i veçantë në letërsinë tonë, kurse poezia e saj një perlë estetike. Ajo është autore e veprave poetike “Mjedra dhe bluz”, “Ishulli Adular” “Vetë përballë Erosit”, Lulja alba”, ”Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim” “Dhoma pa derën dalëse” etj. Poezitë e Lindës janë përkthyer në shumë gjuhë dhe është prezantuar në disa antologji.

Më poshtë mund të lexoni një intervistë të Ahmetit të realizuar nga faqja për kulturë, art dhe letërsi Hejza.

A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?

AHMETI: Letërsia gjithmonë ka qenë tërheqëse për njerëzit. Madje edhe në kohët kur analfabetizmi ka qenë i një shkalle shumë të lartë te ne, njerëzit e kanë dashur shumë letërsinë, kuptohet letërsinë gojore, qofshin ato këngë lirike apo epike, qofshin anekdota ose përralla. Nuk do të doja t’i harroj me këtë rast edhe këngët e fëmijëve që shpeshherë na duken të pakuptimta e që paraqesin një kënd magjik në të cilin populli ynë e ka realizuar gjenialitetin e vet letrar. Edhe këto këngë e kanë mrekullinë e vet.

Si dikur që ka pasur shumë krijues anonimë, por edhe njerëz që i kanë vënë në provë me sukses mundësitë e tyre krijuese, edhe sot, në kohë të shkrimit dhe të teknologjisë mediatike, shumë njerëz i provojnë mundësitë e tyre për ta shprehur një hall, dhembje, imagjinatën dhe kuptohet, stuhinë që në shpirtin e tyre e shkakton Erosi, duke dashur që përmes asaj që kanë thënë, të komunikojnë me njerëzit tjerë, duke i bërë sheshazi gjërat intime në mënyrën më të bukur. Dhe, këtu s’ka kurrfarë të keqeje. Në natyrën e njeriut fshihet nevoja për ta gjetur atë fushë ku mund të jetë më i suksesshëm. Kështu, shpeshherë njerëzit o janë përpjekur që zjarrminë e tyre ta nxjerrin në pah përmes këngës e pastaj  e kanë parë se e kanë vështirë ta bëjnë, o ia kanë dalë. Atëherë o e kanë braktisur këtë punë dhe kanë vazhduar kërkimin e tyre për ta gjetur vetveten, o kanë vazhduar. Ndërkaq me kohë i kanë ndenjur besnikë Muzës vetëm ata të cilët kanë qenë më të vendosur, ata që e kanë dashur krijimtarinë dhe, domosdo ata që e kanë pasur talentin me vete.

Falë teknologjive mediatike sot janë shlyer kufijtë të cilët dikur i vendosnin redaksitë, shoqatat letrare ose asociacionet e ndryshme të afërta me letërsinë, me ç’rast janë bërë gabime dhe është ndërprerë puna e dikujt me mundësi të mëdha ose do të thosha është fikur një yll i cili do të jepte kontribut për pasurimin e letërsisë. Sot është ndryshe. Sot gjithkush mund të shkruajë çfarë të dojë dhe ta botojë poezinë ose tregimin e vet nëpër faqet e ndryshme në internet. Por është koha, janë vitet e ardhshme dhe njerëzit të cilët janë të përgatitur dhe janë kompetentë, ata që do t’i shoshitin vlerat dhe kuptohet se atëherë pak grimca ari do të mbeten në shoshën e tyre të shumësisë letrare që prodhohet.

Mendoj se ne nuk kemi problem me numrin e shumtë të njerëzve të cilët provojnë të bëhen pjesë e botës letrare. Pengesat për të pasur një letërsi të konsoliduar janë të natyrës institucionale e në këtë kontekst më të theksuara janë përçarjet politike që e ndajnë me mure hapësirën tonë letrare. Fatkeqësisht, në këtë kuptim, le të themi se shteti shqiptar dhe mediat e Shqipërisë vazhdojnë t’i mbajnë të përjashtuar krijuesit letrarë jashtë kufijve të tij politikë. Është vështirë që të depërtojë një shqiptar nga Kosova, nga Maqedonia, nga diaspora e, kuptohet edhe nga arbëreshët dhe krijimet e tij letrare të arrijnë në duart e lexuesit pa mbështetje. Kjo do të thotë se ne, meqë nuk njihemi, nuk mund të sjellim përfundime se në çfarë gjendje e kemi letërsinë.

Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e pasluftës së dytë botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

AHMETI: Sot ne kemi “prodhim” të madh letrar, por nuk kemi informacione për këtë prodhim. Derisa popujt tjerë e kanë vënë në binarë mbrojtjen e letërsisë dhe kujdesin për të, ne kemi mbetur në mjegull, në kënetë dhe me decenie nuk mund të dalim prej saj. Në vitet 70, 80 e 90 prodhimi letrar ka pasur adresë, është ditur rruga si duhet të qarkullojë libri që të arrijë në duart e lexuesit. E keqja e madhe e asaj kohe ka qenë censura dhe autocensura. Veç kësaj, kushdo që ka arritur të botojë diçka, mundi i është shpërblyer me honorar. Ka qenë e dhe ideali i krijuesve të atyre viteve për të bërë letërsi të madhe. Sot është ndryshe. Tregu është në kaos, botuesit janë të shumtë, ideal sikur nuk ka për kulturë. Letërsisë së këtyre ditëve ndoshta ia shohin hairin vetëm botuesit, të cilët me kritere e pa kritere e “shesin” mallin e tyre. Është fatkeqësi e vërtetë se kjo gjendje e rëndë na ka kapluar në këtë kohë të hapjes së proceseve demokratike dhe në këto kohë të lirisë së shprehjes së fjalës. E kemi pritur se në këtë kohë letërsia do të jetë në plan të parë të institucioneve, pasi tash kemi dy akademi shkencash e artesh, kemi disa institute që merren me studimet e letërsisë. Na doli e kundërta e asaj që pritnim.  Kujdesi për letërsinë (e cila e mban një barrë të konsiderueshme të identitetit tonë) nga ana e institucioneve është shumë i dobët. Madje-madje, për fat të keq, është nën nivelin organizativ të kohës së diktaturave. Nuk ka menaxhment të mbarë për shpërndarjen e tirazheve, në mungesë të ndihmës financiare libri është i shtrenjtë, etj. Letërsia, pra është lënë të notojë në stihi. Këtu qëndron problemi i humbjes së kontaktit krijues – lexues, këtu duhet ta kërkojmë edhe hallin e “heshtjes” krijuese. Natyrisht brenda gjithë këtyre problemeve nuk mund të presim që kritika t’i identifikojë vlerat e njëmendta. Pastaj, ne nuk jemi popull i madh që vlerat tona t’i mbrojë tregu që kemi, një treg i vogël i ndarë me disa kufij, i cili i ka çmimet më të larta të librit në rajon. Pra, ne ende nuk jemi aq të pasur sa t’i mbushim raftet e bibliotekave tona me libra të shtrenjtë që na i ofrojnë botuesit dhe tregtarët. Prandaj nuk mund ta “fajësojmë” lexuesin. Nuk është që s’ka lexues, ka, por mundësitë financiare kanë bërë që një pjesë e madhe e lexuesve ta braktisin vendin, kurse pjesa tjetër bën luftë Sizifi që ta sigurojë koren e bukës. Por nuk mund ta fajësojmë as kritikën. Kritika do të vihet në lëvizje kur “prodhimi” letrar të vendoset në binarë të mbarë.

A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

AHMETI: Amatorizëm dhe diletantizëm ka pasur gjithmonë dhe do të ketë. Këto janë dukuri që e përcjellin artin si hije. Ju po pyetni a mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në këso kushtesh? Po, mund të ketë dhe ngritja e një kritike bashkëkohore nuk varet nga amatorizmi dhe diletantizmi. Për të pasur një kritikë të tillë është i domosdoshëm stimuli, është e domosdoshme ngritja profesionale dhe është e domosdoshme që shteti të jetë i interesuar më shumë për artet se sa për zhurmën politike të partive tona, është i domosdoshëm qarkullimi i lirë i librit që nga qytetet arbëreshe e deri në viset tona: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të zi e Luginë. Këta faktorë koordinues s’janë, e meqë është kështu kritiku duhet të shkruajë e të flasë për vlerat. Dua të them se shumë talente të kritikës janë detyruar të heqin dorë nga vokacioni i tyre dhe kanë ikur jashtë vendit. Në vend se të merreshin me vlerësimin e krijimtarisë letrare (por edhe me atë të arteve tjera) ata janë të detyruar ta sakrifikojnë talentin e tyre për një jetë të dinjitetshme. Natyrisht se kjo është keq edhe për ata, por më keq është për kulturën tonë, për ne.

A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën pakujdesjen institucionale të shteteve tona shqiptare?

AHMETI: Për fat të keq nuk më mbushet mendja se kështu siç janë portalet më duhet ta përsëris se këto revista, pa mbështetje materiale nga buxheti i shtetit, nuk mund ta kryejnë këtë punë. Mendoj se roli i portaleve për profilizimin e krijuesve të mirëfilltë do të jetë një mision thuajse i pamundshëm sepse shteti shqiptar i cili e ka detyrë me kushtetutë që të kujdeset për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve, që do të thotë për identitetin dhe për mbarëvajtjen dhe jetën e gjuhës shqipe. për vite me radhë ka treguar indiferencë të paparë ndaj letërsisë dhe arteve në përgjithësi, veçmas për ato që krijohen jashtë kufijve politikë të shtetit. Po të vijë dita kur shteti shqiptar do të nisë të kujtohet për vlerat shpirtërore të popullit të vet në tërë hapësirën etnike, ashtu siç kujdeset Serbia, ta zëmë, puna do të ndryshojë.

Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenteve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!

AHMETI: Mendoj se libri elektronik, biblioteka elektronike, digjitalizimi i botimeve janë rezultat i zhvillimit të shpejtë të botës. Ne patjetër duhet t’i pranojmë këto arritje dhe domosdo të jemi në hap me kohën. Mirëpo, libri i shtypur është një urë magjike nëpër të cilën kultura dhe gjuhët kanë kaluar për shumë shekuj me radhë që nga shenjat e para të shkruara apo të vizatuara nëpër shkëmbinj, në lëvore drurësh, në shpella e në pergamenë. Libri i shkruar (dorëshkrimet) dhe libri i shtypur paraqesin përmendoren më madhështore të historisë njerëzore. Veç kësaj libri i shtypur mund t’i bëjë ballë dhëmbit të kohës shumë më tepër se libri i digjitalizuar. Duhet ta kemi parasysh edhe faktin se shumë lexues, për shkaqe të ndryshme e preferojnë librin e shtypur se librin digjital. Ja që koha e sotme me tërë ata telefona celularë, kompjuterë e shpikje të tjera bën presion të paparë mbi librin e shtypur, mendoj se libri i shtypur ende nuk mund të zëvendësohet.

A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm.

AHMETI: Fatkeqësisht gazetat dhe revistat kulturore e letrare që kishin bërë një traditë relativisht të madhe nuk ekzistojnë më. Sa i përket përpjekjeve të kritikës që të gjejë vend e strehë nëpër faqet e ndryshme elektronike, dua të theksoj se edhe kritika letrare, njësoj si krejt letërsia, e thashë, duhet të joshet. Me këtë dua të them se është koha e fundit që të kemi një shoqatë të përbashkët të krijuesve letrarë ku do të mblidhen të gjithë krijuesit letrarë, përfshirë këtu edhe kritikët. Pas formimit të kësaj shoqate mbarëkombëtare menjëherë duhet të mendohen edhe çmimet për krijimet më të suksesshme letrare: për poezi më të mirë, për tregim më të mirë, për përmbledhje më të mirë, për tekst drame më të mirë, për roman më të mirë, etj. Dhe këto çmime nuk duhen të jenë një letër pa e pasur edhe peshën e vet me para. Kur të realizohen këto ide, atëherë mund të flasim për stabilizimin e letërsisë dhe për vendosjen e saj në binarë të vërtetë dhe në themele të cilat do ta sigurojnë një të ardhme të shëndoshë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button