RMV, sot në orën 20:00 përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë

Procesi regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, sipas afatit ligjor, përfundon sot në orën 20:00. Deri tani janë regjistruar 1.768.710 persona, 548.694 amvisëri dhe 795.494 banesa. Nga diaspora deri në mëngjesin e djeshëm janë vetë-regjistruar 201.247 persona, përcjellë Portalb.mk.

Zëdhënësit e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Dushko Arsovski dhe Muhamed Hoxha, gjatë pyetjeve të gazetarëve në konferencën e djeshme për shtyp nëse do të zgjatet afati i regjistrimit ashtu siç edhe kërkoi opozita shqiptare dhe nëse do të nevojitet kohë shtesë për regjistrimin e popullsisë, ata theksuan se kjo nuk u diskutua në mbledhjen e fundit të Qeverisë dhe se të gjitha kapacitetet synojnë përfundimin e operacionit brenda afatit ligjor, gjegjësisht deri sot në mbrëmje.

“Sigurisht fjalën e fundit do ta ketë Enti Shtetëror i Statistikës. Informacionet nga atje janë se më pak se dy ditë para përfundimit të regjistrimit në terren në të gjithë vendin, bëhen kontrolle përfundimtare për lëshime eventuale dhe qarqet e regjistrimit tashmë po mbyllen, në Shkup ku ka koncentrim më të lartë të popullsisë dhe të gjitha kapacitetet e regjistrimit në dispozicion janë në terren dhe vizitojnë familjet që nuk janë vizituar deri më tani. Ky aktivitet do të zbatohet deri në fund të regjistrimit, domethënë deri nesër, e enjte deri në orën 20:00″, theksuan dje zëdhënësit.

Ditë më parë, Enti Shtetëror për Statistikë do u mundësoi të gjithë atyre qytetarëve, të cilët për ndonjë arsye nuk arritën të realizojnë kontakt me regjistruesin, i cili ka kaluar në rrethin e tyre të regjistrimit, por nuk i ka gjetur, të mund të regjistrohen në lokacione të caktuara në komunën e tyre.

Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët ka paraqitur disa parregullsi që po ndodhin gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë.

“Tash më që po afrohet fundi i regjistrimit, në adresën tonë kanë arritur shumë ankesa nga ana e qytetarëve të cilët ankohen se në shtëpitë e tyre nuk ka shkuar asnjë komisioner që t’i regjistrojë. Ky është skandal, sepse ligji obligon të shkohet në çdo amvisëri dhe të regjistrohet çdo qytetar”, deklaruan nga Aleanca për Shqiptarët, duke ju bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë çdo mundësi per tu regjistruar, e pse jo duke u paraqitur edhe te qendrat që i ka caktuar Enti.

Ata vlerësojnë se shtyrja e regjistrimit gjithashtu ishte një nga problemet, duke theksuar që diaspora thjesht prej momentit të shtyrjes e ka injoruar totalisht këtë proces dhe nuk ka vazhduar të regjistrohet.

“Enti i statistikave të punojë pandërprerë edhe 24 orë po qe nevoja, në ditë në mënyrë që mos të ngel asnjë qytetar i paregjistruar, e jo deri më tash ku nuk i kanë lejuar regjistruesit të mos i regjistrojnë 5-6 shtëpi në ditë, sipas informatave nga regjistruesit, me arsyetime se gjoja bllokohet dhe nuk punon serveri”, deklarojnë nga opozita, duke vlerësuar që Kuvendi i Maqedonisë së Veriut urgjentisht duhet të thirre seancë dhe të parashikojë 10 ditë shtesë për regjistrimin.

Regjistrimi i popullsisë, familjeve dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili zyrtarisht filloi më 5 shtator, do të zgjasë deri më 30 shtator.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button