Janë regjistruar mbi 1.7 milion persona, ata që s’janë regjistruar të paraqiten në pikat për regjistrim në komuna

Zëdhënësit e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha, në konferencën e sotme të rregullt për shtyp informuan për konkluzionet dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e fundit të 108-të të Qeverisë dhe u përgjigjën në pyetjet në interes të opinionit.

Në konferencën për shtyp zëdhënësit i kumtuan edhe të dhënat e fundit lidhur me Regjistrimin, ku sipas Entit Shtetëror të Statistikës deri mbrëmë në orën 20:00 janë regjistruar 1.768.710 persona, 548.694 amvisëri dhe 795.494 banesa. Nga diaspora deri në mëngjesin e sotëm janë vetë-regjistruar 201.247 persona.

“Apelojmë deri te të gjithë qytetarët që për çfarëdo arsye deri më tani nuk kanë arritur të kenë kontakte me regjistruesit, por edhe ata qytetarë që nuk do të jenë në shtëpi në këto dy ditë, të përmbushin detyrimin e tyre ligjor në pikat e regjistrimit në komunat e tyre. Regjistrimi është operacion shumë i rëndësishëm për shtetin, që të mund të bëhen strategji për zhvillim. Pjesëmarrja në regjistrim është mundësi për secilin qytetar që vetë të kontribuojë në krijimin e ardhmërisë së vet dhe të përbashkët”, theksuan zëdhënësit e Qeverisë.

Në pyetjen gazetareske nëse do të nevojitet kohë shtesë për regjistrimin e popullsisë, ata theksuan se kjo nuk u diskutua në mbledhjen e djeshme të Qeverisë dhe se të gjitha kapacitetet synojnë përfundimin e operacionit brenda afatit ligjor, gjegjësisht deri nesër në mbrëmje.

“Sigurisht fjalën e fundit do ta ketë Enti Shtetëror i Statistikës. Informacionet nga atje janë se më pak se dy ditë para përfundimit të regjistrimit në terren në të gjithë vendin, bëhen kontrolle përfundimtare për lëshime eventuale dhe qarqet e regjistrimit tashmë po mbyllen, në Shkup ku ka koncentrim më të lartë të popullsisë dhe të gjitha kapacitetet e regjistrimit në dispozicion janë në terren dhe vizitojnë familjet që nuk janë vizituar deri më tani. Ky aktivitet do të zbatohet deri në fund të regjistrimit, domethënë deri nesër, e enjte deri në orën 20:00″, theksuan zëdhënësit.

Regjistrimi i popullsisë, familjeve dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili zyrtarisht filloi më 5 shtator, do të zgjasë deri më 30 shtator.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button