Tri javë pas zjarrit në Tetovë, ende nuk janë dorëzuar në Prokurori raportet nga ekspertizat

Kanë kaluar tri javë nga ngjarja tragjike në Spitalin Modular të Tetovës, ku si pasojë e zjarrit humbën jetën 14 persona, 12 prej të cilëve ishin pacientë dhe 2 familjarë të tyre, megjithatë autoritetet ende s’kanë detaje konkrete për rastin tragjik, shkruan Portalb.mk.

Prokuroria e Maqedonisë së Veriut informon për Portalb.mk se ende nuk janë dorëzuar në Prokurorinë e Tetovës raportet nga ekspertizat e urdhëruara. Procedura është ende në fazën e mbledhjes së provave materialeve dhe verbale.

“Në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë po mblidhen materiale verbale dhe materiale me të cilat duhet që të pastrohet rasti i zjarrit në Spitalin Modular në Tetovë. Raportet nga ekspertizat e urdhëruara deri në këtë moment nuk kanë arritur në Prokurori. Në Prokurori janë dorëzuar protokollet e obduksionit të personave të vdekur. Vijon dëgjimi i anëtarëve të familjeve të viktimave, pas së cilës do të ftohen dhe dëgjohen edhe persona tjerë të cilët mund të japin të dhëna të rëndësishme për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Portalb.mk.

Prokuroria nuk na u përgjigj se kur konkretisht do të dalin me informata të detajuara për zjarrin në Tetovë.

Përveç që deri më tani askush nuk është thirrur në përgjegjësi penale, pavarësisht jetëve të humbura askush nuk është thirrur as në përgjegjësi morale.

Më 8 shtator rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi se nuk i ka pranuar dorëheqjet dhe se Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa të mbarojë hetimi.

Më 11 shtator, me mbjelljen e 14 drunjve në Sheshin “Iliria”, u mbajt marsh paqësor i grupit të tifozëve Ballistët dhe qytetarëve të tjerë në nder të 14 viktimave që humbën jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu spitalin modular për Kovid-19 në Tetovë.

17 shtator në Tetovë u protestua për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës. Protestuesit e filluan marshimin prej sheshit “Iliria”, vazhduan në Komunën e Tetovës, ku mbajtën fjalim dhe më pas disa prej qytetarëve hodhën drejt objektit me vezë, ndërkaq më pas marshuan drejtë selisë së BDI-së. Katër policë u plagosën lehtë në këto protesta. Përplasjet me policinë shpërthyen pasi disa protestues u përpoqën të arrijnë në selinë e BDI -së, dhe më parë hodhën vezë në ndërtesën e komunës. Për këtë 5 protestues u arrestuan dhe ndodhen në paraburgim.

Çfarë dihet për rastin:

  • Në ora 09:02 minuta ka shpërthyer zjarri në objektin e spitalit dhe sipas dëshmitarëve të rastit, për më pak se 5 minuta është djegur më shumë se gjysma e objektit, ndërkaq tërë objekti për rreth 20 minuta.
  • 14 persona kanë humbur jetën, 12 të tjerë janë lënduar.
  • Viktimat janë 8 gra dhe 6 burra në moshë prej 29 deri 78-vjeç.
  • Nga viktimat dy kanë qenë familjarë: bashkëshortja e një pacienti dhe vajza e një pacientes.
  • Brenda spitalit modular për kovid ka pasur familjarë të pacientëve, pavarësisht se kjo është e ndaluar.
  • Ekspertë gjerman kanë qenë në RMV për ta vëzhguar hetimin e Prokurorisë.
  • Dokumentacioni për ndërtimin e Spitalit ndodhet në Prokurori.

Çfarë nuk dihet dihet:

  • A ka pasur zjarrvënie të qëllimshme?
  • Si mund një objekt të digjet me shpejtësi aq të madhe?
  • A ka ndikuar faktori njeri për të shpërthyer zjarri?
  • A është shkaktuar zjarri nga defibrilatori me të cilin mjekët kanë tentuar që ta reanimojnë një paciente?
  • A është shkaktuar nga priza?
  • A ka pasur aparate kundër zjarrit, nëse po, pse nuk kanë mundur pacientët t’i gjejnë?
  • A ka funksionuar sistemi për fikje të zjarrit? Kur është kontrolluar së fundmi se a funksionon?
  • A është ndërtuar objekti modular sipas standardeve, me material mbrojtës nga zjarri?
  • Kush e ka bërë raportin për specifikat teknike dhe pranimin teknik për këtë objekt?
  • Pse këto dokumente duhet të mbahen të fshehura dhe t’i ketë vetëm Prokuroria?
  • A kanë lidhje me zjarrin problemet teknike që drejtori ekonomik i përmendi para hapjes së spitalit?
  • A ka lidhje zjarri në spitalin modular me incidentin paraprak të prerjes së gypit të oksigjenit?
  • Pse janë lejuar familjarët të kujdesen për pacientët?

Nëpër rrjete sociale, por edhe media, natën e shpërthimit të zjarrit u përhapën spekulime të shumta për numrin e viktimave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button