fbpx

Gjykatësit suprem ende nuk kanë miratuar vendim për “Kumanovën”, Këshilli Gjyqësor do ta shqyrtojë në kolegjium

Kanë kaluar më shumë se dy muaj e gjysmë që kur në Gjykatën Supreme është mbajtur seanca publike në lidhje me ankesat e palës mbrojtëse të rastit “Lagjja e Trimave – Kumanova”, por gjykatësit e Këshillit Gjykues të Supremes ende nuk kanë marrë vendim për lëndën, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk, kontaktoi me Gjykatën Supreme për të parë se deri ku është procedura e miratimit të vendimit. Nga Gjykata Supreme arsyetohen se lënda është shumë komplekse dhe për këtë nuk kanë marrë vendim.

“Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi informon se me shkresë është drejtuar deri te kryetari i këshillit dhe kopje deri te gjykatësi raportues i lëndës, me kërkesë për informim për lëvizjen e lëndës dhe në cilën fazë ndodhet procedura. Pas marrjes së informatave me shkresë nga gjykatësi raportues për lëndën e mësipërme, ju informojmë se po punohet në lëndë komplekse, i njëjti është në fazë të miratimit të vendimit dhe sapo të miratohet vendimi, ashtu sikur deri më tani, opinioni do të informohet menjëherë”, thonë nga Supremja për Portalb.mk.

Duhet theksuar se nuk ka ndonjë ligj apo rregullore që Këshillin Gjykues të Supremes e detyron që në afat të caktuar kohor të miratojë vendim nga data e mbajtjes së seancës publike.

Sipas dispozitave ligjore në fuqi, puna e gjyqtarëve të Këshillit Gjykues, është e pavarur dhe madje as kryetari e Gjykatës Supreme në këtë rast, nuk ka kompetencë ligjore që të ndërhyjë në punën e tyre. Kryetari ka të drejtë vetëm të kërkojë informacione nga Këshilli në lidhje me vijimësinë e procedurës.

Megjithatë, këtë pavarësi që e kanë anëtarët e Këshillit Gjykues, gjykatësit ndonjëherë edhe e keqpërdorin. Rast i keqpërdorimit të pavarësisë, ishte ai i “Naser Eshtrefit”, ku 5 vite gjykatësit suprem e zvarritën lëndën dhe pas 5 viteve e rikthyen në shkallë të parë.

Për zvarritjen e miratimit të vendimit, Portalb.mk, alarmoi Këshillin Gjyqësor, si organ më i lartë i cili mes punëve të tjera, i zgjedh dhe shkarkon gjyqtarët. Ata thonë se çështjen do ta diskutojnë në kolegjiumin e tyre dhe do t’i shohin mundësitë ligjore për veprim.

“Duke e pasur parasysh se lënda për të cilën pyesni është në Gjykatën Supreme, për momentin opinionin e lëmë me përgjigjen e tyre në lidhje me veprimin e tyre dhe vendimin. Këshilli Gjyqësor do të ketë rast që në kolegium t’i hapë këto çështje, përfshirë edhe për dosjen gjyqësore për të cilën keni interes, që të definohet qëndrim në pajtueshmëri me mundësitë ligjore dhe si mund të veprohet”, thanë për Portalb.mk nga Këshilli Gjyqësor.

Sipas procedurës, pasi që Këshilli Gjykues i Supremes të miratojë vendim për rastin në fjalë, atëherë gjykatësit kanë afat prej 60 ditëve që ta përgatisin dhe ta shpallin për publikun. Sipas statistikës zyrtare të gjykatës, vetëm gjatë vitit 2020, Supremja ka punuar 2.512 lëndë të të gjitha llojeve.

Ndryshe, për këtë ngjarje të armatosur, në shkurt të vitit 2016-të në Gjykatën Penale të Shkupit është mbajtur procesi gjyqësor kundër 29 personave, të cilët u ngarkuan me veprën “Organizatë terroriste” dhe “Terrorizëm”. Të gjithë 29 të akuzuarit përpara gjykatës janë deklaruar se nuk ndjehen fajtorë. Rasti më vonë u bashkua me “Vetëtimën”, në të cilin ishte zhvilluar procedurë kundër 8 personave për ndihmë të grupit të armatosur, me [ka grupi i të akuzuarve u rrit në gjithsej 37. Prej tyre, 33 u dënuan për veprat, ndërkaq 4 persona u liruan.

Gjykata Penale i dënoi 7 përfaqësues të grupit me burgim të përjetshëm, ndërkaq 13 të tjerë me nga 40 vjet burg. Me dënim prej 20 vjet burg janë dënuar 5 persona, 1 i akuzuar me 12, ndërkaq nga 2 u dënuan me nga 14, 13 dhe 12 vjet burg. Në total, të akuzuarit u dënuan me 746 vjet burg dhe 7 burgime të përjetshme.

Aktgjykimin më vonë e konfirmoi Gjykata e Apelit, ndërkaq tani është në duart e Supremes, e cila është gjykata më e lartë në vend.

Supremja ka mundësi që ta rikthejë rastin në rigjykim apo të kërkojë rishqyrtim të rastit, ndërkaq në rast se e konfirmon aktgjykimin, për të akuzuarin “mbyllen dyert” për kërkim të drejtësisë brenda Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht ata më pas mund të ankohen vetëm në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Për më shumë rreth rastit lexo: DOSJE: 6 vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, ende asgjë nga hetimi ndërkombëtar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button