Situata në veri, Escobar: Nuk ka nevojë të dërgohen forca speciale aty ku kemi KFOR-in

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, ka thënë se pala kosovare dhe serbe duhet të takohen në Bruksel lidhur me çështjen e targave. Escobar ka thënë se palët nuk duhet të dërgojnë forca speciale aty ku është i pranishëm KFOR-i, dhe të përmbahet nga retorika e dëmshme.

“Më duhet të them se ne jemi shumë të angazhuar në këtë çështje me partnerët tanë evropianë. Ne besojmë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje. Është gjithashtu në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku kemi KFOR-in. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”, ka thënë ai.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar derisa ka folur për dialogun, ka thënë se duhet një përpjekje e përtërirë për dialogun dhe mbështetje nga BE-ja. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet t’u japë një mesazh të gjitha vendeve të rajonit se do të jenë anëtare të BE-së dhe se do të anëtarësohen brenda një periudhe të arsyeshme kohore.

“Do të thoja se, me gjithë respektin për kolegët tanë evropianë, njerëzit në rajon, nuk janë gjithmonë të bindur se Evropa i pranon ata. Pra Evropa duhet t’u japë atyre një mesazh, se këto vende do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian dhe se do të anëtarësohen brenda një periudhe të arsyeshme kohore. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kësaj përpjekjeje. Por përpjekja ka të bëjë me të gjithë rajonin. Ajo përfshin Bosnjën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Mesazhi duhet të jetë shumë i qartë për popujt e këtyre vendeve, se ata do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”.

Escobar shtoi se nëse arrihet përparim në procesin e udhëhequr nga BE-ja, njohja nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, do të ndodhë.

“Nuk është se këto pesë vende besojnë se Kosova dhe Serbia nuk duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, por për arsyet e tyre të brendshme, kanë vendosur të presin për të parë rezultatet e dialogut. Prandaj dialogu është i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button