Bota i hodhi qeset e plastikës, në RMV diskutohet nëse duhet të shtrenjtohen

Ndërsa bota krejtësisht  largon nga përdorimi plastikën për përdorim të njëfishtë dhe qeset, te ne ende po diskutohet për shtrenjtimin e tyre në markete dhe nëse kjo është zgjidhje ose jo për reduktimin e hedhurinave. Ekologët këto ditë e kritikuan pakon prej gjashtë ligjeve për hedhurina që u miratua në dy muajt e fundit dhe thonë që në vitin 2021 është e turpshme që në vend të mos ketë sistem të zhvilluar për përzgjedhje (selektim) të hedhurinave. Organizatat qytetare u bëjnë thirrje edhe komunave dhe vlerësojnë që, kot i kemi ligjet më të mira, nëse vetëqeverisjet lokale nuk marrin përsipër përgjegjësi për zbatimin e tyre, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Hedhurinat dhe mënyra e deponimit të tyre vite me radhë është një nga rreziqet më të mëdha për mjedisin jetësor te ne. Ky sektor është edhe një nga emetuesit më serioz të gazrave serë në vend, ndërsa shkaku është në trajtimin joadekuat të hedhurinave me dekada, në sistemin jofunksional të përzgjedhjes dhe mosfunksionimit të ekonomisë cirkulare. Pakoja e shumëpritur dhe e paralajmëruar një kohë gjatë prej gjashtë ligjesh, nga të cilat Kuvendi katër të fundit i miratoi para vetëm dhjetë ditësh, megjithatë, nuk i inkurajon aktivistët ekologjik që gjendja do të ndryshojë së shpejti. Ata kanë shumë vërejtje në procesin e miratimit, ndërsa edhe më tutje nuk janë krejtësisht të kënaqur nga tekstet finale të ligjeve. Thonë që nuk janë miratuar në mënyrë plotësisht transparente e as që presin zbatim konsistent.

Realiteti, në këtë moment, thotë që sipas inventarit të fundit nacional të gazrave serë për vendin, sektori i hedhurinave është një nga sektorët me emetimet me rritjen më të shpejtë. Shkaku për këtë është fakti që nuk kemi deponi rajonale me sistem për riciklim, ndërsa si rrjedhojë e kësaj mungon edhe sistem për përzgjedhje të hedhurinave në nivel nacional.

Ajo që duhet të sigurohet me politikat dhe rregulloren ligjore për sektorin e hedhurinave, sipas Qendrës për hulumtim “Eko vetëdija” (Eko svest), është vendosje e sistemit për përzgjedhje të hedhurinave në disa fraksione (plastikë, qelq, kanaçe, letër) me qëllim të reduktimit të hedhurinave që i prodhojmë. Këtë, sipas tyre do të duhet ta bëjnë komunat, për shkak se edhe po të kemi rregulloren më të mirë ligjore edhe politikat në nivel qendror, pikërisht vetëqeverisjet lokale janë ato që do të duhet të marrin përsipër përgjegjësi më të madhe në zbatimin adekuat të këtyre ligjeve dhe politikave duke përfshirë edhe edukim dhe informim adekuat të qytetarëve në komunat e tyre.

“Me të vërtetë është turp në vitin 2021 ende të flitet vetëm për përzgjedhje primare të hedhurinave në hedhurina të thata dhe të njoma, në vend që të ketë më shumë fraksione ndërsa edhe më e turpshme është që këto ditë diskutimi në mesin e qytetarëve është rreth rritjes së ardhshme të çmimit të qeseve të plastikës, edhe pse ato, në shumë shtete tani më janë të ndaluara për përdorim me qëllim të mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe klimës sonë”, thonë nga “Eko vetëdija”.

Kjo fushë është mjaft komplekse, ndërsa pikërisht për shkak të mënyrës joadekuate si ballafaqohemi me çdo lloj hedhurinash, ajo ka kontribut të madh në ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, vlerësojnë nga “O2 Iniciativa”.  Aktivistët civilë të kësaj organizatë nga qershori kanë shprehur vërejtje të shumta për një pjesë të pakos së ligjeve, ndërsa si rezultat i angazhimeve të tyre u tërhoq edhe leja për importim të hedhurinave si lëndë të para.

“Tërë pakoja ligjore ishte vëllimore, opinioni nuk ishte i njoftuar mjaftueshëm me ndryshimet, ndërsa nevojitet kohë për t’u analizuar të gjitha ndryshimet, të krahasohen me atë çka ka qenë, të kontrollohet çka është qëllimi në pjesë të cilat janë më teknike dhe nuk janë të qarta. Prandaj vlerësuam që duhet të ketë debat publik në Kuvend dhe të përfshihen të gjitha palët e interesuara, që të kemi ligje më të mira, pa pjesë të pa përkufizuara që lënë hapësirë për manipulime”, thonë nga “O2 Iniciativa”.

Ata nuk janë të kënaqur që mbetet përshtypja se menaxhimi përkufizohet në letër, ndërsa implementimi ngec, për çka edhe kanë insistuar për të inkuadruar pjesë më të madhe të ekspertëve dhe të qytetarëve, nëpërmjet situatave reale nga terreni ose situatë kur një institucion apo tjetër shpallet si jo kompetent.

Prandaj shtojnë që e vetmja punë e mirë në këtë pako është që u pranua amendamenti për ndalim të importimit të hedhurinave si reagens. Kjo u bë edhe në vitin 2019 si ndryshim i ligjit ekzistues, me kërkesë të sektorit qytetar. Ekologët pyesin, përse ky ndryshim aspak nuk është përfshirë në ligjin e ri pasi qëndrimi i tyre lidhur me këtë çështje ka qenë i njohur.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut këtë muaj i miratoi ligjet për menaxhim me hedhurina, për menaxhim me paketimet dhe hedhurinat nga paketimet, për menaxhim me rrjedha shtesë të hedhurinave dhe për përgjegjësi të zgjeruar të prodhuesit për menaxhim me rrjedhat e veçanta të hedhurinave. Në gusht, u miratuan edhe Ligji për menaxhim me bateri dhe akumulatorë dhe për pajisje elektronike dhe elektrike dhe pajisje të hedhura elektrike dhe elektronike.

Nga Ministria për Mjedis Jetësor thonë që bëhet fjalë për reformë të legjislacionit në fushën e menaxhimit me hedhurinat. Është përfshirë sistemi i përgjithshëm në nivel nacional i rregulluar në Ligjin e përgjithshëm për menaxhim me hedhurina dhe ligje të veçanta që kanë të bëjnë me rrjedhat e veçanta të hedhurinave, i orientuar në drejtim të parimeve të ekonomisë cirkulare dhe parandalimit të hedhurinave, përkatësisht ripërdorimit, ripërpunimit dhe riciklimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button