Mbi postulatet e përjetshme të Bekaria-s

Arritjet më madhështore në historinë e njerëzimit janë realizuar nga njerëz fjalëpakë. I tillë është edhe libri “Mbi krimet dhe dënimet” i autorit italian Çezare Bekaria të cilin çdo fillim semestër ua rekomandoj studentëve si lexim të domosdoshëm për secilin jurist. Një volum i vogël, me vetëm njëqind e ca faqe, përmbledh në vete esencën e së drejtës penale sipas konceptit të një shteti liberal. Një ese që ka bërë revolucion në mënyrën e rregullimit dhe funksionimit të së drejtës penale. Një libërth që këtë pjesë të së drejtës e ka nxjerrë nga Mesjeta në Kohën e Re.

Çdo fillim semestri u them studentëve që do ti qasen studimit të së drejtës penale që nuk ka shumë rëndësi mësimi përmendësh i gjobave dhe dënimeve të parapara me ligj. Deri sa studentët të kenë diplomuar, shumica prej atyre neneve do të kenë ndryshuar. Rëndësi ka të mësohet esenca e drejtësisë, arsyeja pse ajo eksiston, postulatet kryesore sipas të cilave vepron, të paktën ashtu siç është paraparë, sepse realiteti shpesh ndryshon nga ajo që parashihet me ligj.

Ajo që ka shkruar Bekaria në shekullin e tetëmbëdhjetë, mes vitit 1763 dhe 1764 ka mbetur aktuale gjer më sot. Madhështia e një libri nuk qëndron në numrin e faqeve por në mesazhin që ai e përçon, e Bekaria ka pasur mesazh të qartë për të përçuar përmes librit të tij. Ai ka thënë që përgjegjësia penale duhet të jetë e paevitueshme dhe secili që ka kryer vepër penale duhet të përballet me të. Ai ka thënë që ligji duhet të vlejë për të gjithë njësoj, nga kasollja deri në pallat. Ai ka thënë që duhet hequr dënimi me vdekje, dënimet trupore dhe tortura. Ai ka thënë që ligjvënësi duhet të jetë i butë kur t’i parashikojë dënimet por gjyqtari duhet të jetë strikt kur t’i shqiptojë ato. Ai ka thënë se edhe dënimi më i ashpër, kur ka mundësi të evitohet, nuk e përmbush qëllimin e dënimit, ndërsa dënimi më i butë por i paevitueshëm është shumë më efektiv. Ai ka thënë gjithçka që është dashur të thuhet mbi krimin dhe dënimin, e megjithatë fjalët e tij nuk arrijnë të zbatohen me përpikshmëri, edhe tani, tri shekuj më vonë.

Është e çuditshme se si njeriu e din gjithmonë se ç’është mirë e megjithatë vepron keq. Edhe sot e kësaj dite, edhe pse mund të dimë shumçka që duhet të dihet sepse kemi qasje të plotë te e gjithë urtësia e kësaj bote, ne megjithatë refuzojmë të vendosim rendin dhe t’u përmbahemi rregullave. Kjo e vë në dyshim edhe faktin se sa dhe çfarë dimë në të vërtetë.

Kështu që në këtë fillim të vitit akademik, studentëve u dëshiroj që t’i shfrytëzojnë mundësitë për të ditur më shumë. Mbi të gjitha, u dëshiroj që atë dituri ta përdorin gjithmonë për të mirë dhe të mundohen t’i zbatojnë ato postulate të përjetshme të të urtëve të cilat assesi të vinë në shprehje në këtë botët të çuditshme ku shpesh paditurija e eklipson tërësisht diturinë e mirëfilltë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button