Përbindëshi gjenial në mbretërinë e parfumeve

Individi i refuzuar dhe i përjashtuar nga shoqëria mund të priret drejt lirisë arbitrare, e cila nuk përfundon aty ku fillon liria e tjetrit.

Kjo temë trajtohet edhe në romanin “Parfumi – historia e një vrasësi”  (1985) nga Patrick Suskind.

Shkrimtari gjerman ka krijuar vepër “konstraverse”, “një vepër për jetën kundër jetës”.

Romani i përkthyer në shumë gjuhë, i ekranizuar dhe i shpallur si libër viti nga “New York Times” (më 1986), është vlerësuar si libër mbi identitetin, moralin, dashurinë dhe vdekjen.

Ky është libër edhe mbi shpërfytyrimin e njeriut, mbi përplasjen e unit personal dhe atij social, mbi lirinë arbitrare, por edhe mbi ndjenjën e braktisjes.

Ngjarjet në roman zhvillohen në shekullin XVIII. Protagonisti, Jean-Baptiste Grenouille, ka lindur pa aromë trupore dhe me nuhatje të çuditshme. Jetimi i braktisur nga shoqëria, vetëm pse është “i ndryshëm”, synon ta krijojë atë që i mungon: aromën e përsosur, i bindur se “kush i kontrollon aromat, i kontrollon edhe zemrat e njerëzve”. 

Aromën më të veçantë e gjen te trupi i gruas së vrarë nga ai. Nga lëkura e gruas e krijon aromën më mbresëlënëse që e mahnit Parisin.

Protagonisti nuk ndjen mëshirë për viktimën. Jeta e njeriut për të nuk është e rëndësishme. Më me rëndësi është plotësimi i mungesës personale. Veprimet e tij bien ndesh me kodet e shoqërisë me rregulla të serta. Sipas kodeve shoqërore ai ka qenë i huaji, i ndryshmi, i përjashtuari. Mbase për këtë shkak shkon përtej asaj që është e ndaluar për shoqërinë. Si i tillë është krahasuar me Mersonë e Kamysë. Ndjenja e të qenit i huaj çon edhe në veprime si të Medeas së Euripidit.

Protagonisti, për shkak të së kaluarës, është bërë përbindësh. Dhunën që ka përjetuar e mbart te të tjerët. I dhunuari bëhet dhunues. Skllavi bëhet padron. Robi bëhet robërues. Emil Cioran-i thotë se martirët i gjejmë te të persekutuarit.

Shoqëria që synon të krijojë kopje me pamje njeriu dhe nuk e lejon njeriun të jetë vetvetja, por të përshtatet në një mjedis frymëzënës edhe kur kjo është e pamundur, si në rastin e protagonistit, krijon brenda qenies njerëzore një konflikt. Një konflikt ndërmjet unit personal dhe atij social.

Protagonisti i romanit është gjeniu, por gjenialiteti që s’e njeh humanizmin shpie në barbari. Zbulimet që nuk mbështeten mbi një themel etik çojnë në katastrofë. Bota ka përparuar në planin teknik, teknologjik dhe shkencor, por ngec në planin etik.

Njeriu, siç thotë Khaled Hosseini, bëhet turist në botën e tij kur aty lejohet vetëm uniformiteti; kur ajo botë të pranon vetëm nëse i ndjek verbërisht rregullat e saj të ngurta. Kjo botë, si e tillë, prodhon përbindëshit e së nesërmes.

Është i bukur një vend që i pranon njerëzit ashtu sikurse janë apo ashtu sikurse duan të jenë, mjafton të mos u bëjnë keq të tjerëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button