fbpx

DW: Për kovid-qendrën në Tetovë përgjegjës ishin Komuna dhe drejtori i spitalit

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, së bashku me përfaqësuesit e Bankës Botërore, e zbatuan, kurse autoritetet lokale dhe drejtori duhej të kontrollonin cilësinë dhe funksionalitetin e spitaleve modulare, tregojnë dokumentet e siguruara nga Deutsche Welle, transmeton Portalb.mk.

Dokumentet e titulluara “Plani për menaxhim ekologjik dhe social” i spitaleve modulare, të publikuara në tetor 2020, i përfshin në detaje fazat e ndërtimit të spitaleve modulare, mirëmbajtjen dhe kontrollin e tyre për secilin veç e veç.

Përderisa presim rezultatet e hetimit, i cili duhet tu përgjigjet shumë pyetjeve në lidhje me vdekjen e 14 pacientëve dhe të afërmve të tyre në Qendrën kovid në Tetovë më 8 shtator të këtij viti, hulumtimi i DW në dokumentacionin e projektit pastron disa dilema në lidhje me kompetencën dhe përgjegjësinë për kontrollin e mekanizmave të ndërtimit, funksionalitetit dhe mbrojtjes.

Drejtorët – kontraktorët dhe inspektorët

Sipas këtyre dokumenteve, përgjegjës për zbatimin e projektit në fushën e kontratave institucionale ishin lideri i ekipit nga Banka Botërore dhe një person nga zyra e projektit të Bankës Botërore në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale si projekt-menaxher. Në pjesën e implementimit, për spitalin modular të Tetovës përgjegjës ishin dy persona nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në fushën e mbikëqyrjes mbrojtëse. Drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, si kontraktues në mbikëqyrjen lokale, si dhe në pjesën e inspektimit lokal. Besimi, i cili për më tepër se 11 vjet ishte drejtor i Spitalit të Tetovës, ndërkohë, ofroi dorëheqjen, ashtu siç bëri edhe drejtori ekonomik i klinikës, Artan Etemi – i cili nuk përmendet në dokumentacion.  Asnjë prej të prekurve, i kontaktuar nga DW, aktualisht nuk lejohet të komentojë rastin për shkak të hetimeve.

Kjo situatë përsëritet edhe në pothuajse të gjitha spitalet e tjera modulare që u ndërtuan në vend gjatë pandemisë – si përgjegjës për mbikëqyrjen e plotë të punës janë të shënuar vetëm emrat e drejtorit të spitalit lokal, ndonjëherë drejtorit ekonomik, në një rast kryeinfermierja, dhe në dy qytete, Shtip dhe Veles – askush nuk është i emëruar, pra është shënuar vetëm “menaxher”. Bëhet fjalë për gjithsej 17 spitale modulare që shteti i financoi me hua nga Banka Botërore në vlerë prej 3.8 milionë euro.
Sipas marrëveshjes, pas realizimit të projektit, gjegjësisht përfundimit të spitaleve modulare, në dokument duhej të shkruhej emri i inxhinierit që mbikëqyri punën e përfunduar. Ajo kolonë mbeti bosh në të gjitha spitalet modulare.

Përgjegjësi të ndara

Në dokumente theksohet qartë se pothuajse në të gjitha fazat e ndërtimit dhe kontrollit të objekteve, përgjegjëse janë autoritetet lokale. Në rastin e kovid-qendrës modulare të Tetovës, thuhet se nga faza përgatitore deri në fazën e fundit operacionale, për kontrollin e ndërtimit, funksionalitetit dhe mekanizmave mbrojtës në objekt përgjegjëse, në segmente të ndryshme, janë autoritetet komunale në Tetovë ose kontraktuesi-ofertuesi “Brako.”
Për shembull, qysh në fazën përgatitore parashihet prania e një mbikëqyrësi nga komuna e Tetovës. Në fazën vijuese- fazën e ndërtimit – kontrolle nga inspektorët komunal për ndërtim dhe mjedis jetësor. Në fazën e monitorimit gjithashtu.
Fondet për këtë u siguruan në buxhetin për projektin ose do të duhej t’i barte kontraktori.

Në fazën e fundit, operacionale e cila përfshin:

– Plani për mirëmbajtjen e rregullt të instalimeve (ujë, rrjet kullimi, energji elektrike, ngrohje) në spital (Kompetent: Përfaqësues të komunës së Tetovës, drejtor i spitalit në Tetovë, inspektor komunal dhe person përgjegjës në spital);

– Përgatitja e Planit për mbrojtjen nga zjarri dhe zbatimi i masave mbrojtëse (Kompetent: Drejtori i spitalit në Tetovë dhe personi përgjegjës në spital);

– Përgatitja e planit për menaxhimin e mbeturinave dhe kontrollin e infeksionit (Kompetent: Përfaqësues të komunës së Tetovës, drejtori i spitalit në Tetovë, inspektor komunal dhe person përgjegjës në spital)

Përgjegjës janë përfaqësuesit e komunës së Tetovës, drejtori i spitalit në Tetovë dhe inspektorët komunal Këto tre pika nga faza operacionale duhej të paguheshin nga buxheti i spitalit të Tetovës. Plani për mirëmbajtjen e instalimeve dhe menaxhimin e mbeturinave duhej të përgatitej “para vënies në punë të spitalit”, ndërsa plani  për mbrojtje nga zjarri do të zbatohej “në fillim të funksionimit të spitalit”.

Panele PUR

Në raste urgjente dhe rrethana të jashtëzakonshme, të tilla si zjarret, përgjegjësia bie mbi spitalin, personelin e spitalit dhe Drejtorinë për mbrojtje dhe shpëtimit. Si pjesë e planit për situata urgjente, në dokument propozohet që të gjithë të punësuarit në kovid-qendër të trajnohen për reagim emergjent dhe për procedurën e saktë në situata të tilla.

Dokumentet gjithashtu përmbajnë edhe specifikim teknik të projektit për spitalet modulare, në të cilat konfirmohet ajo që DW tashmë ka njoftuar, se kërkoheshin mure dhe çati të “paneleve ekologjike PUR”, për të cilat disa ekspertë konfirmuan se digjen shumë lehtë dhe nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme nga zjarri.

Spitali modular i Tetovës u vu në funksionim në fillim të prillit të këtij viti, kurse si edhe me të tjerët, kontraktorët e projektit ishin ndërmarrja nga Velesi “Brako” dhe ajo nga Vallandova “Ari dhe Tom” të cilët fituan tenderin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe Bankës Botërore me ofertën më të lirë, i  cili ishte edhe kriteri kryesor.

Kujtojmë se më 8 shtator rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Dorëheqjet e tyre erdhën pasi më 8 shtator shpërtheu zjarri në spitalin e përkohshëm në Tetovë, ku po trajtoheshin personat e sëmurë nga COVID-19. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi që Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa nuk ka vendim për heqjen e tyre, sqaroi Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button