Pas sulmit të qenve endacak ndaj katërvjeçarit, reagojnë nga ASH-ja dhe Komuna e Tetovës

Dje, qentë endacak sulmuan dhe bënë për spital katërvjeçarin nga Reçica e Vogël i cili ishte duke lozur jashtë me shokët. Për këtë sot kanë reaguar nga Komuna e Tetovës dhe Aleanca për Shqiptarët, dega Tetovë, transmeton Portalb.mk.

Nëna e djalit në një prononcim për TV 21 tregoi se si ka ndodhur i gjithë rasti, ku djali i saj ishte në gjendje të rëndë si pasojë e lëndimeve të marra nga sulmi i qenve. Për të mos mjaftuar kjo, kur familja e dërgoi fëmijën në spital, atje në fillim nuk e morën seriozisht, deri sa u bindën ta shohin se çfarë ka fëmija. Ajo shtoi se në Tetovë fëmijës i dhanë një vaksinë dhe një infuzion, por duheshe edhe një vaksinë tjetër te merrte.

“Vaksinën tjetër (kundër tërbimit) nuk e kishin këtu. U duheshe patjetër ne ta dërgojmë në Shkup, neve këtu na dhanë një letër, një udhëzim, kur shkuam në Shkup atje thanë se nuk mundemi ne të bëjmë asgjë.” tha nëna e fëmijës.

Abdulla Osmani, nga dega e Aleanca për Shqiptarët (ASh) Tetovë, tha se ky rast dëshmon se Tetova është bërë një vend i rrezikshëm për jetesë, si pasojë e papërgjegjësisë, krimit, korrupsionit dhe keqmenaxhimit të drejtuesve të pushtetit lokal dhe qendror.

“Për të mos mjaftuar kjo, kur fëmija është dërguar në spital u është thënë se nuk ka vaksinë kundër tërbimit dhe janë detyruar të shkojnë për në Klinikën e Shkupit. Qyteti i Tetovës jo vetëm që nuk ka siguri për të jetuar, por nuk ka as edhe shëndetësi për të të ndihmuar.  Nuk ka shkolla të sigurta, ndërsa së fundmi janë rrezikuar edhe shtëpitë, oborret dhe lagjet. Dhe pas gjithë kësaj, ne nuk mund të kërkojmë më të mbajnë përgjegjësi nga ata që nuk mbajtën as për 14 jetë të humbura.” tha Osmani.

Komuna e Tetovës tha se në kuadër të programit për trajtimin e qenve endacak ka siguruar 3 milion denarë.

“Deri më tani, kompania e angazhuar ka trajtuar 650 qen dhe Komuna e Tetovës do të sigurojë fonde shtesë për këtë qëllim por duke pasur parasysh që ky problem është një problem në nivel shtetëror për ta zgjidhur atë kërkon një strategji shtetërore për të zhdukur plotësisht këtë fenomen i cili fatkeqësisht sot rezultoi në një sulm ndaj një fëmije 5-vjeçar nga Reçica.

“Ne jemi duke përgatitur Projektin “Ndërtimi i Kapaciteteve Komunale për Zbatimin e Projektit”, financuar nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, synon të adresojë sfidat kryesore në zhvillimin lokal dhe të mbështesë kapacitetet e komunave në zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të zhvillimit lokal.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga Komuna shtuan se UNDP aktualisht është në kërkim të një kompanie me përvojë të projektimit për të mbështetur projektin Ndërtimi i kapaciteteve për zbatimin e projektit në përgatitjen e dokumentacionit të projektit urban (përfshirë projektin konceptual) dhe dizajnin bazë (për të gjitha fazat teknike) për ndërtimin e një qendre rajonale qenve endacak.

“Kompania e përzgjedhur pritet të përgatisë dokumentacionin teknik të kërkuar për leje ndërtimi dhe të bashkëpunojë me ekipin e UNDP-së për zbatimin e projektit, në bashkëpunim të ngushtë me personin kontaktues të projektit nga Qendra për Zhvillimin e Planifikimit të Rajonit të Pollogut.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, veterinari Rami Selmani, ashtu edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, disa herë kanë theksuar se ka persona të cilët sjellin qen endacak nga qytetet tjera, në Tetovë. Njoftojmë se nga Sektori për Punë të Brendshme këto vazhdojnë të ngelin në “thashetheme” siç u shprehen ata, pasi që asnjë rast i tillë nuk është denoncuar ende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button