fbpx

RMV, në mbrojtjen e pyjeve për pesë vite kemi investuar vetëm 480.000 euro, nuk është çudi që janë duke u zhdukur

Maqedoni e V. shumë pak investon në mbrojtjen e pyjeve, ndërsa rezultati përfundimtar i kësaj praktike negative është shkatërrimi i sipërfaqeve të mbjella me drunj. Në pesë vitet e kaluara, shpenzimet dhe investimet për mbrojtje të pyjeve në vend kanë qenë vetëm 29.516.000 denarë, përkatësisht 480.000 euro modeste. Për dallim prej kësaj, zjarret e mëdha pyjore që e kapluan vendin tonë këtë vit kanë shkaktuar dëm prej mbi 31 milion euro, përkatësisht dëmet e shkaktuara nga zjarret janë dhjetëra herë më të mëdha në krahasim me mjetet që mund të investohen në mbrojtje të pyjeve, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Rregulli “më mirë të parandalohet se sa të mjekohet” nuk vlen për begatinë e madhe pyjore që e kemi. Të dhënat nga Entit Shtetëror për Statistikë tregojnë që në vitin 2020 dhe 2019 aspak mjete nuk janë investuar në mbrojtjen e fondit pyjor në vend, ndërsa më së shumti financa në investime dhe shpenzime për mbrojtje të pyjeve janë realizuar në vitin 2015 (12.197.000 denarë) dhe në vitin 2018 (10.833.000 denarë).

Nga NP “Pyjet nacionale” për “Meta.mk” në fillim të këtij muaji informuan që vetëm në zjarret në pyjet me përfundim më 15 gusht është djegur sipërfaqe prej 9.907 hektarë në rreth 150 zjarre, me ç’rast është konstatuar masë e djegur e drurit prej madje 448.087 metër kub.

Gjithashtu, nga ndërmarrja publike informojnë që nga prerja ilegale e pyjeve në periudhën janar-gusht 2021 janë regjistruar 1.329 çrregullime, me ç’rast pa leje është prerë 11.792 metër kub masë druri. Vitin e kaluar, organet kompetente kanë konstatuar 3.852 prerje ilegale, me ç’rast është prerë 26.615 metër kub masë druri.

Në pjesën e sanimit të zjarreve pyjore , nga NP “Pyjet nacionale” na është thënë që do të angazhohen për pyllëzimin e sipërfaqeve të shkatërruara këtë vit, me ç’rast është planifikuar edhe bashkëpunim me pronarët e pyjeve private.

“NP Pyjet Nacionale ka në dispozicion mjaftueshëm plantacione me të cilat do të përpiqemi ta shpëtojmë pasurinë pyjore. Për sanim do të nevojitet kohë më e gjatë. Për rinovimin e sipërfaqeve të djegura do të nevojiten më shumë dekada për të arritur deri në fazën në të cilën ka qenë pylli që është djegur. Kjo është shumë periudhë e gjatë e cila, zjarret që na ndodhin i bën të jenë katastrofal”, u përgjigjën nga NP “Pyjet nacionale” në lidhje me fazën e ardhshme për pyllëzim të sipërfaqeve që janë shkatërruar nga zjarret katastrofale këtë vit.

Përndryshe, ruajtja e fondit pyjor është një nga faktorët kryesor për t’u zvogëluar ndikimi i ndryshimeve klimatike, përkatësisht për t’u parandaluar rritja e mëtutjeshme e temperaturave mesatare të ajrit në botë. Më pak sipërfaqe pyjore të shkatërruara nga zjarret donë të thotë më pak dyoksid karboni i lëshuar në ajër, por edhe mundësi më e madhe për absorbimin e materieve të dëmshme në ajër nga numri më i madh i drunjve që nuk janë shkatërruar.

Të dhënat nga Raporti i tretë dyvjeçar për ndryshime klimatike i Ministrisë për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor nga viti 2020 tregojnë që sektorit të Pylltarisë i kanë ndodhur lëshimet më të mëdha gjatë viteve në emetimet e gazrave serë në vend.

Në vitet kur nuk ka zjarre pyjore, sipas të dhënave, pyjet kanë efikasitet të zmadhuar në absorbimin e dyoksid karbonit të dëmshëm nga atmosfera. Ky ishte rasti në vitin 2014, kur drunjtë kanë absorbuar 3.597,4 gigagramë ekuivalentë dyoksid karboni (Gg. CO2-eq) nga atmosfera.

Mirëpo, në rastet sikur viti 2000, kur ka pasur zjarre të mëdha, sektori Pylltari paraqitet si shkaktari kryesor i lëshimit të emetimeve të dëmshme në atmosferë. Kështu që, pikërisht këtë vit, ky sektor ka prodhuar 10.441,4 gigagramë dyoksid karboni (Gg. CO2-eq), përkatësisht ka pasur efektin më të madh në emetimin e gazrave serë në vend.

Në nivel botëror, pyjet mbulojnë 9,4% të sipërfaqes së rruzullit të Tokës ose 30% të gjithë sipërfaqes së dheut, mirëpo më parë kanë mbuluar deri 50%. Për shkak të zjarreve të mëdha dhe neglizhencës ndaj pyjeve edhe këtë vit zjarret e pyjeve kanë kapluar pjesë të mëdha të Evropës dhe të kontinenteve tjera, gjë që ka shpjer në zvogëlim të mëtejmë të numrit të drunjve në planetin tonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button