Sa janë të sigurta spitalet modulare në Maqedoni

Djegia e spitalit modular për sëmundje infektive COVID-19 në Tetovë ku për pasojë  kemi shkrumbimin e pacientëve  nga zjarri i cili në fakt nuk i pyeti se cilës parti i takojnë ata, hapi një debat të ashpër politik  ndërmjet opozitës dhe pozitës.

Mosbesimi në vetvete dhe në kuadrot profesionale në vend Qeveria kërkoj ekspertë nga vendet e Evropës në këtë rast nga Gjermania, të cilët do të jepnin versionin përfundimtar mbi shkaqet e katastrofës që ndodhi ditë më parë në Spitalin e Tetovës. Kuptohet ky mosbesim  vjen nga fakti sepse Qeveria e tanishme dhe qeveritë e mëparshme  e dine mirë se çfarë kuadrosh kanë punësuar në universitete në të gjitha nivelet  akademike  si në Fakultetet Teknike,  ai Juridik , në Mjekësi e kështu me radhë .Kuadro që do të prodhonin profesionalistë të sferave të ndryshme të cilët  do të kontribuonin për shoqërinë në çdo moment duke përfshirë edhe rastet emergjente  për një ekspertizë të drejtë dhe të saktë si  në rastin e fundit tragjik në Tetovë.

Në shtetin tonë ekziston dhoma e inxhinierëve dhe arkitektëve të autorizuar e cila është e pavarur dhe jopolitike   e cila nëpërmjet komisioneve autorizon inxhinierët e të gjitha sferave me AUTORIZIM A si për projektim, realizim, mbikëqyrje dhe revizion  të projekteve pa të cilët asnjë kompani ndërtimi dhe shërbimi nuk mund të punësoj inxhinierët përkatës. Këta autorizime njihen edhe në Gjermani, prandaj Qeveria po të ishte transparente  nuk duhej të ikte aq larg në Gjermani por të ndalej pikërisht në vend sepse edhe këtu kemi ekspert të fushës që fatkeqësisht ikin çdo ditë jashtë vendit pikërisht nga kjo apo ajo Qeveri.

Një ndër inxhinierët e autorizuar me  ATORIZIM A  për realizimin ,projektimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve termoteknike  për ndërtesa me rëndësi të veçantë siç ishte  edhe Spitali Modular në Tetovë jam edhe unë prandaj nuk munda të jem indiferent ndaj situatës se krijuar .

Nuk mundet të ndizet  aq shpejt një ndërtesë me rëndësi të veçantë nëse është projektuar në të gjitha fazat nga inxhinierët me autorizim A duke përfshirë këtu edhe revizionin e projektit, në të gjitha fazat nga inxhinierët me autorizim A.

Kompania e cila ka realizuar  dhe zbatuar  projektin e ndërtimit në të gjitha fazat ka qenë e obligueshme që nëpërmjet inxhinierëve të autorizuar A për realizim t’i paraqestë gjitha gabimet e mundshme në projekt   duke përfshirë revizionin e projektit edhe materialet ndërtimore si nga kualiteti, çmimi dhe qëndrueshmëria sipas protokollit dhe kontratës në tenderim te projektit te mbikëqyrësit e autorizuar me autorizim A për mbikëqyrje nga investitori në këtë rast nga Ministria e Shëndetësisë si të punësuar të përhershëm në këtë Ministri .

Para fillimit të ndërtimit kompania ka qenë e obligueshme të paraqesë te mbikëqyrësit e investitorit të gjitha certifikatat  e pajisjeve  dhe produkteve ndërtimore të cilët dëshmojnë  prodhimin, garancionin dhe standardet e kualitetit.

Gjatë realizimit të punës nga kompania duhet të jenë të nënshkruara nga mbikëqyrësit e Ministrisë së Shëndetësisë të gjitha librat  ditorë të ndërtimit të cilat në detale shënojnë sasinë e materialit të montuar  për secilën ditë si dhe libri kryesor i ndërtimit sipas të cilit bëhen pagesa kompanisë për punën e realizuar kuptohet gjithnjë sipas projektit. Për çdo ndryshim në projekt kompania ka qenë e obligueshme  me shkrim të bëj kërkesë te mbikëqyrësit dhe projektuesit  për ndryshimin e mundshëm dhe nuk mund të ndryshojë asgjë pa pranuar me shkrim  lejen nga  mbikëqyrësi dhe projektuesi  të cilët janë të obliguar të përgjigjen brenda disa orëve .

Pas mbarimit të ndërtimit para pranimit teknik të Spitalit kompania ka qenë e detyruar të bëje të gjitha testimet  e nevojshme sipas projektit  si  testimin  e rrjetit elektrik,  matja dhe testimin e  tokëzimit, testimi i sistemit kundër zjarrit ,sistemin e ngrohjes dhe klimatizimit, sistemin hidraulik, kontrollimin dhe testimin e pajisjeve mjekësore ,kontrollimin dhe testimin e sistemit të gazrave medicinal si dhe sistemin e barazimit të potencialeve e cila ndoshta ka qenë edhe shkas kryesor  i aksidentit .

Te gjitha matjet dhe testimet bëhen në prezencë të mbikëqyrësve përkatës ,realizuesit dhe personit të brendshëm të autorizuar nga Spitali I Tetovës të cilët në fund të çdo testimi  plotësojnë dhe nënshkruajnë  procesverbalet përkatëse ku përshkruhet e gjithë rrjedha e testimit dhe kontrollimit .

Para se të bëhet pranimi teknik  është e nevojshme edhe edukimi i personelit të posaçëm mbi përdorimin e pajisjeve mjekësore si dhe sistemeve të lartpërmendura si dhe elaborati I mirëmbajtjes dhe përdorimit në të cilat shënohen edhe rreziqet që mund të paraqiten  gjatë përdorimit të sistemeve dhe pajisjeve brenda spitalit.

Nëse kemi pasur pranim teknik do të thotë se janë pranuar  të gjitha materialet ndërtimore ,pajisjet  dhe sistemet funksionale sipas protokollit dhe projektit  që do të thotë se :

  1. Materialet ndërtimore pra sendvic panelet përmbajnë PUR dhe PIR sipër shembull prodhimit KINGSPAN të cilët janë zjarrdurues në fakt panelet u dogjën tërësisht.
  2. Ndërtesa duhej të kishte dy dalje për evakuim në raste emergjence në fakt njerëzit dilnin nga dritarja.
  3. Spitali duhej të kishte sistem zonal kundër zjarrit në fakt ai nuk ekzistonte fare.
  4. Spitali duhej të kishte senzorët që detektojnë koncentrimin e gazrave djegës në ajër duke ditur se dezinfektantët  janë me bazë alkooli dhe përdoren mjaftë në repartet infektive dhe avullohen lehtë duke mundësuar ndezje edhe me një shkëndi më të vogël.
  5. Spitali i këtillë duhej të kishte sistem ngrohje dhe ftohje, ajër-ujë që janë më të sigurta në këto raste në fakt kemi split pompa termike tek të cilët uroj të mos kenë Freon R32 i cili është i ndezshëm  dhe nuk lejohet të përdoren në këto ndërtesa.
  6. Spitalet e këtilla duhet të kenë tokëzim për barazim potencialesh qenë fakt nuk dihet a është realizuar apo edhe a ka qenë i paraparë.
  7. Materasat dhe çarçafat  ku shtrihen pacientët duhet gjithashtu të jenë jo aq të ndezshme.
  8. Jashtë spitalit duhej të ekzistonin së paku dy hidrant kundër zjarrit të cilët në fakt nuk ekzistojnë.
  9. Spitalet e këtilla duhet të kenë sistem alarmi, rrezik nga zjarri qënë fakt nuk funksiononte ndoshta edhe nuk ekziston, i vetmi alarm ishte detonimi dhe shpërthimi në flakë.

Ekspertizën e këtillë  do ta bëjnë edhe ekspertë gjerman pasi duke e ditur se në spital është i pranishëm oksigjeni i pastërti cili kur ndodhet në tepricë rreth një lënde djegëse në këto raste material ndezës , avuj alkooli ose ndonjë gaz freoni ku mjafton një shkëndijë të vogël të shndërrohet ne material plasës eksploziv që shkakton temperature të lartë në fakt zjarr  .

Tani që kemi viktima kuptohet qe  nuk duhet të politizohet situata ,por politizimi i biznesit  ka kohë që bëhet në shtetin tonë .Në shtetin tonë ka disa kompani që plotësojnë kushtet  të parashtruara  në  tendera, që me ndikim të politikës i fitojnë këto tendera  qindra milionëshe dhe ua shpërndajnë kompanive tjera si nënkontraktor normalisht duke e marrë paraprakisht  fitimin e dëshiruar nga projekti dhe në këto raste nënkontraktorët mundohen që të fitojnë nga projektet duke ndryshuar kualitetin dhe sasinë e materialeve  të montuara me pëlqimin e mbikëqyrësve të cilët shpesh kërcënohen nga politika  sepse u rrezikohen vendet e punës ose korruptohen me vet dëshirë duke ulur kualitetin e pajisjeve dhe materialeve ndërtimore, duke rrezikuar qytetarin hallexhi i cili shkon të shërohet  duke mos ditur se do të përjetojë ferrin për së gjalli.

 

Me respekt :

Ing.dip Bedri Behadini

[email protected]

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button