Nuk është e vërtetë që Ivermektina shkakton infertilitet tek 85 përqind e meshkujve

Bazuar në një studim të vjetër dhe të parëndësishëm, të paraqitur si të ri, në një grup në Facebook është postuar një njoftim i rremë se ilaçi Ivermektin shkakton infertilitet tek pjesa dërrmuese e popullatës mashkullore, shkruan Vërtetmatësi.

Po recenzojmë një postim në Facebook të shoqëruar me një tekst, në të cilin në mënyrë të rreme pretendohet se ilaçi Ivermektin shkakton infertilitet tek 85% e meshkujve. Ilaçi Ivermektin në vendin tonë është sjellë me import ndërhyrjeje. Nga Ministria e shëndetësisë informuan se një komision i formuar nga Ministri i shëndetësisë ka përgatitur mendim për ilaçin Ivermektin të cilin e ka dorëzuar pranë komisionit në MALMED (Agjencia e ushqimit dhe barnave).

Ilaç i etabluar me një gamë të gjerë veprimi

Sipas Ministrisë, Ivermektina është një ilaç antiparazit me një gamë të gjerë veprimi, me efikasitet të lartë dhe siguri jashtëzakonisht të lartë.

Për trajtmimin e onkocerciazës te njerëzit për herë të parë është përdorur në vitin 1987. Në tre dekadat e fundit janë përshkruar 3.7 miliardë doza të këtij ilaçi në të gjithë botën pa efekte ose me efekte të parëndësishme anësore. Përdoret gjithashtu për të eleminuar morrat e kokës. Është në dispozicion në më shumë forma – por për njerëzit lejohet vetëm përdorimi oral. Në dekadat e fundit Ivermektina është dëshmuar si shumë efektive in vitro dhe kundër një numri virusesh si HIV, Denga, virusi i Nilit Perëndimor dhe viruse të tjera ARN dhe ADN. Ivermektina është një ilaç me siguri të dëshmuar. Të gjitha studimet e deritanishme të Ivermektinës kundër KOVID19 kanë treguar se është i sigurt dhe asnjë nga studimet e kryera deri më tani nuk ka treguar joefektivitet. Përkundrazi, të gjitha kanë treguar rezultate jashtëzakonisht pozitive. Ivermektina është përfshirë në protokollin për trajtimin e pacientëve me Kovid 19 i cili u miratua nga kolegiumi profesional i Klinikës Universitare të pulmologjisë dhe alergologjisë dhe qendrave për Kovid 19 në repartet internistike”, thanë nga Ministria e shëndetësisë për ilaçin.

Përveç kësaj, dhe përkundër asaj që thuhet në postimin që po e recenzojmë, zëdhënësja e Agjencisë amerikane të barnave, për Reuters deklaroi se infertiliteti nuk është një efekt anësor i njohur i Ivermektinës, dhe një efekt i tillë nuk është regjistruar në udhëzuesin për përdorim dhe për efektet e padëshiruara të ilaçit.

Efektet e padëshiruara të Ivermektinës përfshijnë irritim të lëkurës, të vjella, diarre, dhimbje të barkut, ënjtje të gjëndrave dhe fytyrës, konfuzion, konvulzione, rënie të shpejtë të tensionit të gjakut.

Ajo që është thënë saktë në tekstin që po e recenzojmë është se në SHBA, për dallim nga vendi jonë, Ivermektina nuk rekomandohet për trajtimin e  pacientëve me Kovid-19. Ky është një ilaç shumë i lirë dhe në farmacitë në Maqedoni mund të blihet për 300 denarë.

Studim i vjetër i prezantuar si i ri

Megjithatë, studimi që përmendet në tekstin që po e recenzojmë nuk është i ri por i vjetër nga viti 2011. 

Studimin mund ta shihni në këtë link.

Në studim janë përfshirë 37 persona nga Nigeria, por një numër kaq i vogël nuk mund të japë dëshmi se Ivermektina shkakton infertilitet tek meshkujt, madje siç thuhet në postim tek 85% e tyre.

Autorë të studimit janë studentë nga Nigeria. Në këtë studim është bërë evaluimi i spermës së 37 pacientëve të diagnostikuar me  оnkocerciazë.

Autorët kanë bërë vlerësimin e spermës të pacientëve para dhe pas trajtimit 11 mujor me Ivermektin, që përdoret shpesh  për trajtimin e onkocerciazës. Në përfundimet e tyre kanë shkruar se kanë zbuluar një rënie të dukshme të lëvizshmërisë dhe të numrit të spermatozoidëve tek pacientët.

Epidemiologu Gideon Meyerowitz  Katz nga Universiteti Wollongong në Australi në Twiter i zbardhi rezultatet e këtij hulumtimi. Ai theksoi se bëhet fjalë për një hulumtim të vogël të një dekade më parë që përjashton 90 përqind të pjesëmarrësve, sepse sperma e tyre ka qenë e një cilësie tepër të dobët për testim. Kjo në vetvete do të thotë se është e pamundur të nxirren përfundime, ka shkruar ai.

Agjencia amerikane e barnave ka miratuar Ivermektinën për trajtimin e parazitëve tek njerëzit dhe kafshët.

Për shkak të faktit se Agjencia amerikane e barnave nuk ka theksuar se efekt anësor i Ivermektinës është infertiliteti dhe kjo nuk është përfshirë në udhëzimet zyrtare për përdorim, për shkak se ilaçi është administruar në miliona doza për më shumë se 4 dekada dhe nuk janë raportuar efekte anësore të tilla, si dhe fakti që studimi është kryer në një mostër jashtëzakonisht të vogël dhe të papërfaqësuar, ne vlerësojmë se nuk është e vërtetë që Ivermektina shkakton infertilitet tek 85 përqind e meshkujve.

 

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button