fbpx

Arifi kërkon marrëveshje për fushatë të shkurtër parazgjedhore, ASh: Kërkojmë përgjegjësi

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi nëpërmjet një mesazhi në profilin e saj në Facebook ka kërkuar që partitë politike të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimi për fushatë elektorale të shkurtë për zgjedhjet e tetorit, në respekt të tragjedisë së 8 shtatorit ku u dogj spitali modualt dhe si pasojë humbën jetën 14 persona. Nga Aleanca për Shqiptarët thanë se duhet përgjigje dhe përgjegjësi dhe jo memorandume hipokrite. Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën” tha se përvojat e kaluara me kryetaren aktuale me nënshkrime memorandumesh kanë rezultuar mashtrime. Lëvizja Besa dhe PDSH, që kanë kandidatë për Komunën e Tetovës ende nuk kanë shprehur qëndrimin e tyre, shkruan Portalb.mk.

Sipas asaj që Arifi ka shkruar, në këtë marrëveshje kandidatët për kryetarë të Komunës së Tetovës dhe kandidatët për këshillin komunal, ashtu si partitë e tyre parashihet që të dakordohen për fushatë elektorale të shkurtër, të drejtë dhe në respekt të jetëve të humbura, gjendjes së qytetarëve dhe vlerave të shoqërisë tonë.

Më tej thuhet se palët që do e nënshkruajnë këtë marrëveshje do të bien dakord që të fokusojnë idetë deh programet e tyre në dobi të qytetarëve dhe informacioneve të bazuara në fakte. Të gjithë kandidatët dhe partitë sipas marrëveshjes do të heqin dorë nga organizimi i aktiviteteve elektorale deri në datën zyrtare të fillimit të fushatës më 27 shtator.

“Në shenjë të solidaritetit dhe në respekt të tragjedisë së 8 shtatorit, si kryetare dhe kandidate për kryetare të komunës së Tetovës, ftoj të gjitha partitë politike të nënshkruajnë këtë marrëveshje mirëkuptimi, për një fushatë elektorale të shkurtër në kohë, të drejtë dhe në respekt të tragjedisë së 8 shtatorit.” tha Teuta Arifi.

Kjo është marrëveshja të cilën Arifi e ka shpërndarë në Facebook:

Nga Aleanca për Shqiptarët thanë se duhet përgjigje dhe përgjegjësi, jo memorandume që sipas tyre janë hipokrite.

“Në vend të përgjigjes që duhet t’u japë tetovarëve, kryetarja më e dobët në historinë e Tetovës sot na del me një memorandum hipokrit, ku përpiqet të heshtë kundërkandidatët dhe të lajë duart nga zullumi që ka shkaktuar nëpër Tetovë. Sa i përket memorandumit që na ka propozuar zonja Arifi, si duket ajo nuk e kupton se është kryetare në ikje dhe pas zullumit që ka shkaktuar në Tetovë nuk është kurrfarë autoriteti, as moral as juridik, të bëjë thirrje të këtilla, e lere më të na tregojë se si duhet të sillemi në fushatë. Ironia më e madhe është se pas dekadash në pushtet, herë deputete, herë ministre dhe tetë vjet kryetare komune, ajo bën ftesë që mos bëjmë fushatë para 27 shtatorit. Zonja Arifi, kjo datë edhe ashtu është e caktuar me ligj dhe fushatë para kësaj date nuk do të bëjmë as ne dhe besojmë as kandidatët tjerë, përveç partisë suaj e cila është mësuar të thyejë ligjin kur t’i teket.” thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën”, për Portalb thanë se përvojat e kaluara me kryetaren aktuale me nënshkrime memorandumesh kanë rezultuar mashtrime.

“Në këtë fazë për ne prioritet është epilogu i dorëheqjeve. Nuk mund ti konsiderojmë serioze këto trakte paraelektorale që kanë qëllim vetëpromovimin dhe shpërqendrimin e opinionit nga përgjegjësia.” thanë nga “Më mirë për Tetovën”.

Portalb.mk kontaktoi edhe me zëdhënësit nga Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), për të marrë qëndrimin e tyre në lidhje me këtë marrëveshje të cilën e ka propozuar Arifi, pasi të dyja paritë kanë kandidatë për kryetarë komune për Tetovën. Nga të dyja partitë na thanë se sa po të kenë qëndrimin do të na njoftojnë, mirëpo deri në këtë moment nuk dhanë përgjigje konkrete.

Kujtojmë se me datë 8 shtator rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Si pasojë e kësaj ngjarje, ministri Filipçe dhe zëvendësi Hasani dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre, së bashku me dy drejtorët e Spitalit të Tetovës, Artan Etemin dhe Florin Besimi. Dorëheqjet ende nuk janë pranuar nga autoritetet përkatëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button