Kurti për ekstradimin e të dënuarve në rastin “Monstra”: Ka raste nga e kaluara të cilat nuk janë zbardhur deri në fund

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në Shkup është pyetur nëse Qeveria e Kosovës do t’i ekstradojë dy prej të dënuarve në rastin “Monstra” të cilët janë arratisur në këtë shtet para disa viteve. Kurti nuk ka precizuar nëse kjo gjë do të ndodhë, por tha se Ministra e Drejtësisë e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me atë të Maqedonisë së Veriut dhe se kanë bashkëpunim edhe për këtë çështje. Më tej ai shtoi, se ka shumë raste të trashëguara të cilat, sipas bindjes së tij, nuk janë zbardhur deri në fund, transmeton Portalb.mk.

“Ministrat e Drejtësisë të dy qeverive tona janë në kontakt të drejtpërdrejt, në komunikim të vazhdueshëm dhe natyrisht se ata bashkëpunojnë edhe për këtë çështje. E dimë se nga e kaluara, ne trashëgojmë raste tragjike e shumë të rënda, të cilat kanë pasur procese edhe të vështira më pastaj. Ka ende raste, të cilët për bindjen time, nuk janë zbardhur deri në fund, për të cilën ende nuk e kemi të vërtetën e plotë dhe bashkë me kryeministrin Zaev kemi diskutuar jo vetëm për shtetin, por edhe për ndihmën ndërkombëtare që drejtësia për të gjithë qytetarët e në veçanti për viktimat, të shkojë në vend deri në fund, ashtu që të mësohet e vërteta deri në fund”, deklaroi Kurti.

Ndryshe, më 23 prill të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë të Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e Afrim Ismailoviq, i dënuar në rastin “Monstra”. Policia e Kosovës më 2 prill arrestoi Afrim Ismailoviqin, një nga të dënuarit me burg të përjetshëm në rastin “Monstra”. Ismailoviq është arrestuar pas një aksidenti në trafikun e Prishtinës, për të cilin kishte edhe flet-arrest, por i njëjti u lirua menjëherë. Pos tij, në Kosovë ndodhet edhe i dënuari tjetër për rastin “Monstra”, me burgim të përjetshëm Alil Demiri. RMV, deri tani disa herë ka kërkuar ekstradimin e tyre, por deri sot Kosova është përgjigjur negativisht.

Më 23 shkurt, Gjykata Penale e Shkupit miratoi aktgjykim, për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, të njohur në opinion si rasti “Monstra”, ashtu siç propozoi Prokuroria dhe i shpalli fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për ndihmë. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave, Mbrojtja e kundërshtoi vendimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button