Von der Leyen: BE do të dhurojë edhe 200 milionë vaksina

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se blloku do të ndajë 200 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit në vendet joanëtare të BE-së, deri në mes të vitit të ardhshëm, transmeton REL.

“Prioriteti ynë i parë dhe më urgjent është të përshpejtojmë vaksinimin global”, tha von der Leyen në fjalimin e saj vjetor para bllokut.

BE tashmë është zotuar se do të ndajë 250 milionë doza të vaksinës.

Në fund të muajit të kaluar, 70 për qind e qytetarëve të rritur të BE-së kanë qenë plotësisht të vaksinuar.

Por, von der Leyen tha se është e shqetësuar nga normat e ndryshme të vaksinimit midis vendeve anëtare të BE-së.

Në fjalimin e saj, ajo përmendi edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe procesin e zgjerimit të BE-së.

Von der Leyen: Investimet në Ballkan, investime në të ardhmen e BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot gjatë fjalimit vjetor për gjendjen e BE-së, në një seancë plenare të Parlamentit Evropian tha se investimet në Ballkanin Perëndimor janë investime në të ardhmen e BE-së.

Ajo përsëriti qëndrimin e bllokut për procesin e zgjerimit dhe, siç tha, rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor për të ardhmen e BE-së.

“Investimet në Ballkanin Perëndimor janë investime në të ardhmen e Bashkimit Evropian”, tha ajo dhe shtoi se për këtë qëllim, BE-ja është duke zbatuar plane të veçanta për investime në vendet e rajonit.

Von der Leyen paralajmëroi se para fundit të këtij muaji do të udhëtojë në rajon, për të dërguar sinjalin e fortë për vazhdimin e procesit të zgjerimit. Nga Komisioni Evropian thanë se Von der Leyen do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor më 28-30 shtator, por nuk saktësuan se cilat vende do t’i vizitojë ajo.

Kjo vizitë do të zhvillohet para samitit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Bërdo të Sllovenisë.

Von der Leyen foli edhe për masat që ka ndërmarrë BE-ja prejse ka nisur pandemia e koronavirusit, duke përmendur, siç tha, suksesin e bllokut në vaksinim, ndihmën me vaksina për vendet e tjera dhe miratimin e planit për t’iu ndihmuar shteteve anëtare për rimëkëmbje ekonomike.

Ajo foli edhe për krizën në Afganistan, duke premtuar rritjen e ndihmës humanitare të BE-së për qytetarët e këtij shteti, i cili, muajin e kaluar, ka rënë nën kontrollin e militantëve talibanë.

Gjatë debatit në Parlamentin Evropian, ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Anze Logar, vendi i të cilit kryeson me BE-në, konfirmoi se zgjerimi i bllokut evropian dhe Ballkani Perëndimor janë prioritete dhe se këto do të jenë tema të samitit të BE-së, që do të mbahet në Slloveni në muajin tetor.

LEXO: Von der Layen do të vizitojë Ballkanin Perëndimor deri në fund të shtatorit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button