BE me ndihmë për viktimat e zjarreve në Maqedoninë e Veriut

Bashkimi Evropian ka siguruar 140 mijë euro fonde humanitare të cilat do të shkojnë në ndihmë të familjeve të prekura dhe ato që ishin në vijën e parë të luftës me zjarret në Maqedoninë e Veriut. Këto mjete të BE-së mbështesin Kryqin e Kuq kombëtar në dhënien e ndihmës së nevojshme përfshirë ushqimin dhe sendet e tjera thelbësore, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo ndihmë, do të përfitojnë mbi 12,600 persona nga të prekurit nga zjarret. Në këto pako përshihen gjëra ushqimore dhe higjienike, pako për foshnja, çanta të ndihmës së parë, dyshekë, batanije, mjete për kuzhinë dhe çarçafë. Gjithashtu do të vazhdojë të mbështesë ekipet e zjarrfikësve që veprojnë në terren.

Financimi është pjesë e kontributit të përgjithshëm të BE-së në Fondin e Emergjencës për Ndihmë gjatë Katastrofave (DREF) të Federatës Ndërkombëtare të Shoqërive të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC).

Duke filluar nga 30 korriku 2021, Maqedonia e Veriut u godit nga një valë e të nxehtit që rezultoi në zjarre të rënda në disa rajone të vendit. Zjarret e rënda në rajone të shumta rezultuan në shkatërrimin e pyjeve, tokës pjellore, të lashtave dhe pronës së popullsisë. Një person vdiq dhe disa u plagosën. Shtëpi të shumta si dhe objekte të tjera janë djegur dhe dëmtuar në shumë fshatra.

Ndryshe, Fondi i Emergjencës për Ndihmë gjatë Fatkeqësive u krijua në vitin 1985 dhe mbështetet nga kontributet e donatorëve. Sa herë që një Kryq i Kuq Kombëtar ose Gjysmëhëna e Kuqe ka nevojë për mbështetje të menjëhershme financiare për t’iu përgjigjur një fatkeqësie, ajo mund të kërkojë fonde nga DREF. Për fatkeqësitë e shkallës së vogël, IFRC-ja ndan grante nga Fondi, të cilat më pas mund të rimbushen nga donatorët. Marrëveshja e delegimit midis IFRC-së dhe ECHO-s i mundëson këtij të fundit të rimbushë DREF për operacionet e dakorduara (që përputhen me mandatin e tij humanitar) deri në një total prej 3 milion €.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button