Merkel takoi kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në Tiranë

Kancelarja Angela Merkel takohet me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor në Tiranë përpara largimit të saj nga vizita në Shqipëri. Kryeministri Albin Kurti iu përgjigj pyetjes së Euronews Albania duke thënë se Kosova nuk do jetë pjesë e iniciativës “Open Balkan”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas takimit me kancelaren Merkel renditi katër elementë të domosdoshëm për paqe, stabilitet dhe siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë Rama i dërgoi mesazh Kosovës: ‘Open Balkan’ nuk ka kontradiktë me Procesin e Berlinit, ndërsa Angela Merkel theksoi që Procesi i Berlinit nuk ka dështuar, ka ende punë për të bërë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel nxiti për bashkëpunim më të ngushtë vendet e rajonit në fjalimin e lamtumirës për Ballkanin të mbajtur nga Tirana.

“Arritja më e madhe e Procesit të Berlinit është vendosja e një fryme bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe e sensit të të ardhmes së përbashkët”, deklaron kryeministri Rama në konferencën me Merkel.

Kancelarja Merkel u prit me ceremoni shtetërore nga kreu i qeverisë shqiptare në Pallatin e Brigadave. Kryeministri Edi Rama nderoi kancelaren gjermane Angela Merkel me medaljen ‘Kordoni i Madh me Yll i Mirënjohjes Publike’. Momenti i nderimit u publikua në faqen e Facebook nga Kryeministri Edi Rama. Kancelarja Merkel e cilësoi një nder të madh medaljen dhe tha se kishte qenë një gjë e mirë bashkëpunimi me kryeministrin shqiptar.

Ndryshe, në Pallatin e Brigadave, dera e makinës së kancelares nuk u hap për një moment, incident i cili kaloi menjëherë. Kryeministri Rama i zgjati dorën Merkelit, ndërsa kancelarja e përshëndeti me grusht, ashtu siç diktojnë rregullat e pandemisë COVID-19. Çfarë u vu re ishte se kancelarja dhe kryeministri u ulën në dy karrike të vendosura paraprakisht, ndërkohë që zakonisht liderët qëndrojnë në këmbë gjatë ceremonive të tilla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button