fbpx

Treni evropian arriti dje në Shkup, BE e promovoi hekurudhën si mjet transportues (Galeri)

Treni i vetëm ndërkombëtar i udhëtarëve këtë vit midis Beogradit dhe Shkupit arriti mbrëmë në Stacionin hekurudhor në Shkup. Treni evropian “Connecting Europe Express” e vizitoi kryeqytetin e vendit, për të dërguar mesazhin e BE-së se hekurudha është e ardhmja e transportit. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski gjithashtu arriti me tren nga Beogradi, ndërsa trenin evropian në stacionin hekurudhor e priti ambasadori i BE-së Dejvid Gir dhe drejtori i Infrastrukturës hekurudhore-Hekurudhat e RMV-së Hari Lokvenec, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Connecting Europe Express” u nis nga Lisbona më 2 shtator të këtij viti, kurse në destinacionin e i tij të fundit, në Paris, do të mbërrijë më 7 tetor. Treni evropian do të udhëtojë në 26 vende evropiane dhe në mbi 100 qytete, ndërsa në udhëtimin e tij 36-ditor do të udhëtojë mijëra kilometra në të gjithë Evropën. Në këtë mënyrë, BE e shënon këtë vit si Viti Evropian i Hekurudhave, duke dërguar mesazh se do të stimulojë përdorimin e hekurudhave si mjet për  transport.

Ambasadori i BE-aë Dejvid Gir nga stacioni hekurudhor i Shkupit tha se hekurudha është transporti i së ardhmes, që siguron lidhshmëri më të madhe dhe është mjet transportues më ekologjik dhe më i qëndrueshëm.

BE -ja ka një plan konkret për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050, me zhvillimin e transportit hekurudhor një nga aktivitetet kryesore që do t’i ndërmerr për të arritur reduktim të emetimeve të gazrave serrë në atmosferë. Sipas të dhënave të EURail, udhëtimi nga një pasagjer me tren vlerësohet se lëshojë tre herë më pak dyoksid karboni në atmosferë sesa udhëtimi me makinë, si dhe katër herë më pak CO2 në krahasim me aeroplanin.

Përveç se do të bëjë investime jashtëzakonisht mëdha në zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore dhe transportit në shtetet e saj anëtare, BE -ja aktualisht është investitori më i madh në hekurudhat në Maqedoninë e Veriut, duke siguruar grante për ndërtimin e fazës së dytë dhe të tretë të hekurudhës për në Bullgari, kurse kohët e fundit , BE bëri thirrje edhe për rregullim të plotë të hekurudhës së Korridorit 10, duke premtuar se do të mbështesë financiarisht Serbinë në rindërtimin e seksionit hekurudhor ekzistues nga Beogradi deri në kufi me vendin tonë.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski mbrëmë e falënderoi BE-në për përfshirjen e vendit tonë në këtë nismë kushtuar vitit të hekurudhës. Ai mori pjesë dje në Samitin Ndërkombëtar në Beograd, ku ai dhe ministrat e tjerë të rajonit e nënshkruan Deklaratën dhe Memorandumet e Bashkëpunimit, duke u përkushtuar përsëri për modernizim të infrastrukturës hekurudhore, ndërtimin e pikave të përbashkëta kufitare hekurudhore për të shkurtuar kohën e udhëtimit dhe përfshirjen e serishme të trenave ekspres ndërkombëtarë midis qyteteve të Ballkanit Perëndimor.

Përndryshe, nga Shkupi për momentin nuk është e mundur të udhëtosh me tren në ndonjë vend të rajonit. Treni për Beograd dhe Selanik është anuluar, si dhe treni i vetëm për në Prishtinë nuk është në funksion tashmë disa muaj, pavarësisht se është shënuar në orarin e këtij viti.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button