fbpx

Banka Botërore për Portalb: E ndjekim për së afërmi hetimin për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Duke pasur parasysh faktin se spitalet modulare në të gjithë Maqedoninë e Veriut u ndërtuan me hua nga Banka Botërore, përfshirë atë në Tetovë që u dogj, Portalb kërkoi nga ky institucion të dhëna për atë se si e kontrollojnë kualitetin e projekteve për të cilat ata japin para. Të njëjtët u përgjigjën se janë duke e ndjekur nga afër hetimin dhe shkaqet e kësaj tragjedie, shkruan Portalb.mk.

“Zjarri në spitalin Modular në Tetovë është një incident shkatërrues dhe ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet dhe të dashurit e viktimave dhe të mbijetuarve. Qeveria e Maqedonisë së Veriut po heton shkakun e kësaj tragjedie dhe ne po e ndjekim hetimin nga afër. ” thanë nga Banka Botërore për Portalb.

Edhe pse Portalb.mk kërkoi përgjigje konkrete, nga Banka Botërore thanë se tani për tani nuk do të japin më shumë detaje.

Këto janë pyetjet që Portalb dërgoi deri te Banka Botërore:

  1. A marrin pjesë përfaqësues nga Banka Botërore në vënien në punë të objekteve modulare?
  2. A janë qeveria apo kompanitë që i fitojnë tenderët të detyruara t’ju japin dokumentacionin e plotë për specifikat teknike të objekteve modulare, si dhe procesverbalin nga pranimi teknik dhe vënia në punë e objektit modular?
  3. A kërkon Banka Botërore dhe mban procesverbal për pranimin dhe hetimin teknik të objektit modular dhe a mban dokumentacion për specifikimet teknike të objekteve modulare? Nëse po, a mund të kemi qasje për t’i parë ata?
  4. Nëse një dokumentacion i tillë nuk kërkohet, cila është procedura për verifikim nga Banka Botërore të cilësisë së zbatimit të projekteve për të cilat ajo jep kredi?

Pyetjeve të njejta megjithatë do të duhet t’i përgjigjet dhe hetimi që po e bëjnë ekspertët gjermanë së bashku me prokurorinë e vendit.
Deri më tani, organet hetuese thonë se posedojnë gjithë dokumentacionin dhe se vijon hetimi.

“Priten rezultatet nga ekspertizat dhe po merren në pyetje të gjithë personat të cilët me informatat e tyre mund të ndihmojnë për zbulimin e shkaqeve të zjarrit”, thanë nga Prokuroria.

Kujtojmë se të mërkurën rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Si pasojë e kësaj ngjarje, ministri Filipçe dhe zëvendësi Hasani  dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre, së bashku me dy drejtorët e Spitalit të Tetovës, Artan Etemin dhe Florin Besimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button