KH: Insistojmë të ketë hetim objektiv dhe me kohë si dhe përgjegjësi për tragjedinë në spitalin e Tetovës

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut shpreh ngushëllimet më të përzemërta për familjet e viktimave dhe insiston për zbardhje objektive dhe me kohë të tragjedisë së madhe në spitalin modular në Tetovë. Komiteti kërkon dhe pret nga institucionet kompetente të realizojnë hetim themelor, me të cilin do të përcaktohen shkaqet për zjarrin në të cilin jetën e humbën 14 persona, si dhe të ndërmerren masa për përcaktim të përgjegjësisë të personave dhe institucioneve, veçanërisht në aspekt të masave parandaluese për mbrojtje dhe respektim të protokolleve shëndetësore dhe të sigurisë në spitalin e Tetovës, njofton Portalb.mk.

“Kjo humbje e madhe me arsye e rrit mosbesimin e qytetarëve në institucionet e sistemit,  prandaj është vendimtare që hetimi të zhvillohet në mënyrë profesionale e transparente. Vetëm në atë mënyrë, organet kompetente mund ta minimizojnë hapësirën për spekulime në opinion dhe dëme të njëpasnjëshme, të cilat në masë të madhe mund ta rrezikojnë ballafaqimin me pasojat nga pandemia”, thonë nga KH.

Ata shtojnë se duke e pasur parasysh se vitin që kaloi janë ndërtuar 19 spitale modulare, ndërsa duke i pasur parasysh informatat që është hapur hetim i posaçëm për këtë furnizim publik, prokuroria duhet në afat sa më të shkurtë të dalë me informata të cilat do t’i zgjidhin dilemat rreth sigurisë së këtyre objekteve.

“Kapacitetet shtesë për hospitalizim të kovid-pacientëve janë me rëndësi tepër të madhe për funksionimin e sistemit shëndetësor në kohë të pandemisë, mirëpo ato duhet të lëshohen në funksion vetëm në qoftë se i plotësojnë standardet e sigurisë”, shtojnë nga KH.

Komiteti i Helsinkit e përshëndet vendimin për inkuadrim të ekspertëve të huaj në hetim, gjë që do të kontribuojë për besueshmërinë e hetimit dhe rezultatet nga i njëjti. Komiteti vazhdon ta monitorojë punën dhe veprimin e institucioneve kompetente të shtetit, nga të cilat kërkojmë nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe paanshmërisë në zbardhjen e kësaj tragjedie.

Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë në zi nga ngjarja tragjike e zjarrit në Spitalin Modular për Kovid në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona dhe 12 të tjerë u lënduan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button