Parashikimi strategjik i Bashkimit Evropian, kah e ardhmja dhe mbrapa

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Më 8 shtator të këtij viti, Komisioni Evropian e publikoi Raportin e dytë të Parashikimit Strategjik. Me Raportin e parë, që u botua vitin e kaluar, u përfshi dhe filloi të përdoret parashikimi strategjik si bazë për proceset e krijimit të politikave të BE-së, në mënyrë që në to të përfshihet parashikueshmëria. Tema kryesore e raportit ishte  “Resilience” – përkthimi i së cilës do të  thotë “qëndrueshmëri”, ose  më saktë ” qëndrueshmëri elastike”, sepse ideja është të jesh i qëndrueshëm elastik ndaj sfidave të reja nëpërmjet elasticitetit. Sigurisht, kriza e shkaktuar nga KOVID-19 i stimuloi dhe përshpejtoi këto procese, tashmë të zhvilluara në nivel të BE-së dhe në shtetet anëtare.

Parashikimi strategjik është “disiplinë e kërkimit, parashikimit dhe formësimit të së ardhmes për të ndihmuar në ndërtimin dhe përdorimin e inteligjencës kolektive në mënyrë të strukturuar, sistematike dhe sistemore për të parashikuar ngjarjet”. Përmban studim të skenarëve, duke identifikuar tendencat dhe problemet e reja dhe duke i përdorur ato për vendimmarrje më të mirë. Parashikimi strategjik shikon drejt së ardhmes nga e tashmja, dhe prapa – nga e ardhmja në veprimet e tanishme.

Raporti i dytë – i sivjetmë- i Parashikimit Strategjik i Komisionit Evropian shkon më thellë në identifikimin e tendencave globale – deri në vitin 2050 dhe më pas identifikon dhjetë fushat kryesore për veprim të BE-së.

Ndryshimet klimatike dhe sfidat e tjera të mjedisit jetësor janë identifikuar si tendenca e parë globale. Ngrohja globale parashikohet të bëjë që temperaturat të rriten me 1.50 gjatë dy dekadave të ardhshme dhe 20 deri në 2050, gjë që do të rrisë presionin mbi sigurinë e ujit dhe ushqimit, biodiversitetin, degradimin e mjedisit jetësor dhe shëndetin publik.

Tendenca e dytë globale është hiperlidhja digjitale dhe transformimet teknologjike, të cilat sjellin mundësi të mëdha, por edhe sfida, të tilla si: rritja e rrezikut të sulmeve kibernetike; humbja e vendeve të punës; shfaqja e aftësive të reja, por me kërkesë për aftësi të reja; rritja e mbeturinave elektronike dhe nevoja për energji dhe resurse të rralla.

Presioni mbi modelet demokratike të qeverisjes dhe vlerave është tendenca e tretë globale e identifikuar, duke treguar qartë rrezikun e erozionit të vazhdueshëm të qeverisjes demokratike dhe demokracive të etabluara, përveç rrezikut të tillë në zonat e paqëndrueshmërisë në vendet fqinje të BE-së dhe më gjerë. Përhapja e dezinformatave është identifikuar si një rrezik serioz për sistemet demokratike.

Ndryshimet në rendin global dhe demografi janë tendenca e katërt dhe sigurisht jo më pak e rëndësishme. Pritet që deri në vitin 2050 popullsia e botës të rritet në 9.7 miliardë, por tendencat e BE-së janë të kundërta – plakje e popullsisë dhe rënie e popullsisë së aftë për punë. Parashikohet mbijetesë, por edhe rritje e mundshme të sfidave të migrimit. Pritet rishpërndarja e fuqisë globale dhe zhvendosja e qendrës gjeo-ekonomike në Lindje, rritja e rivalitetit dhe brishtësisë globale dhe rendi botëror të jetë gjithnjë e më shumëpolar.

Në këtë vlerësim të tendencave, planifikuesit e BE -së vendosën 10 prioritete, për të shfrytëzuar mundësitë dhe për të përballuar sfidat. Këtu i përcjellim plotësisht:

  1. Sigurim i sistemeve të qëndrueshme dhe elastike të shëndetit dhe ushqimit;
  2. Sigurim i energjisë së dekarbonizuar dhe që është në dispozicion;
  3. Forcimi i kapacitetit për menaxhimin e të dhënave, inteligjencës artificiale dhe teknologjive të fundit;
  4. Sigurim dhe diversifikim i furnizimit me lëndë të para me rëndësi kritike;
  5. Sigurim i pozicionit global të drejtuesit të parë në përcaktimin e standardeve;
  6. Ndërtim i sistemeve elastike dhe të qëndrueshme ekonomike dhe financiare;
  7. Zhvillim dhe mbajtje e aftësive dhe talenteve që korrespondojnë me ambiciet e BE-së;
  8. Forcimi i kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtëse dhe qasje në hapësirë;
  9. Punë me partnerët globalë për të promovuar paqe, siguri dhe prosperitet për të gjithë.
  10. Forcimi i qëndrueshmërisë së institucioneve.

Çfarë do të thotë për ne?
Përkundër faktit se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE njihet si një nga prioritetet gjeopolitike të BE-së, ky proces dhe dokumentet e Komisionit mund të jenë një burim frymëzimi për elitat tona politike, shkencore dhe ekonomike. Parashikimi strategjik nënkupton një qasje holistike (gjithëpërfshirëse) dhe multidisiplinare.
I tejkalon dhe i bashkon “kompetencat” individuale të institucioneve dhe sektorëve. Kërkon kapacitet të fortë, dialog dhe lidhje midis institucioneve shtetërore, shkencës, ekonomisë dhe sektorit të shoqërisë civile në përgjithësi. Mund të tingëllojë si shumë ambicioze dhe madje e papërshtatshme në një kohë kur po përjetojmë tragjedi dhe po luftojmë për një përgjigje të menjëhershme institucionale për to. Megjithatë, miopia është një luks që nuk guxojmë t’ia lejojmë vetes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button