fbpx

Regjistrimi vazhdon, për katër ditë janë regjistruar 200.000 qytetarë

Regjistrimi i popullsisë, familjeve dhe banesave, i cili më 5 shtator filloi të realizohet në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, po zhvillohet me mbështetje dhe interesim të madh nga qytetarët. Vërtetim për këtë është numri i madh i qytetarëve të regjistruar. Vetëm gjatë katër ditëve të para, me regjistrim janë përfshirë më shumë se 200.000 qytetarë, njofton Portalb.mk.

“Enti Shtetëror i Statistikave shpreh mirënjohjen për të gjithë qytetarët të cilët, të vetëdijshëm për rëndësinë e kryerjes së këtij operacioni më të madh statistikor, janë partner konstruktiv në këtë proces.

Aktualisht po tejkalohen sfidat e vogla teknike, të cilat herë pas here shfaqeshin në ditët e mëparshme kur kishte intensitet të lartë të regjistrimit në terren. Të gjitha të dhënat e futura përpunohen me sukses në sistem, ndërsa po bëhen rregullime teknike në mënyrë që procesi të vazhdojë me intensitet të pandërprerë.

Dinamika aktuale e regjistrimit në terren është një garanci se deri më 30 shtator do të regjistrohen me sukses, popullsia, amvisëritë dhe banesat në të gjithë vendin”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, pas rreth 19 vjetësh, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare si dhe banesave filloi të dielën. Operacioni statistikor filloi zyrtarisht më 5 shtator orën 8 të mëngjesit, dhe do të zgjasë deri më 30 shtator, deri kur do të zgjasë regjistrimi online i diasporës, i cili filloi më 1 mars të këtij viti.

Për herë të parë në këtë regjistrim, përveç mbledhjes së të dhënave drejtpërdrejt nga popullsia në terren, do të përdoren të dhëna nga e ashtuquajtura Baza e të dhënave para regjistrimit, ku duke futur numrin e ID-së së qytetarit në aplikimin e regjistrimit, të gjitha të dhënat për atë person në bazat e të dhënave në vend tërhiqen automatikisht. Kjo pritet të përshpejtojë të gjithë procesin, që do të thotë se deri në fund të vitit, jo më vonë se janari 2022, të dhënat duhet të publikohen.

Regjistrimi i parë bashkëkohor në vend u krye në 1921. Tetë regjistrime u kryen pas Luftës së Dytë Botërore: 1948, 1953, 1961, 1971, 1981, 1991, 1994, dhe 2002.

Regjistrimi i vitit 1991 ishte i paplotë dhe për këtë arsye në 1994 një regjistrim u krye përsëri në të njëjtën dekadë. Regjistrimi i vitit 1994 është i pari që nga pavarësia, dhe regjistrimi i vitit 2002 është i fundit i kryer. Sipas të dhënave të mbledhura në atë kohë në vend, popullsia ishte 2,022,547, kishte 564,296 familje dhe 698,143 apartamente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button