Partitë politike ngushëlluan familjarët e viktimave të tragjedisë në Tetovë

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar ndaj tragjedisë së mbrëmshme që ndodhi në Tetovë, duke u shprehur ngushëllime familjarëve dhe duke bërë thirrje që rasti të zbardhet, transmeton Portalb.mk.

Partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE, nëpërmjet një kumtese ka shprehur keqardhje të thellë për viktimat, ndërsa kanë thënë se është e rëndësishme që institucionet të hetojnë deri në fund arsyet dhe të përcaktohet përgjegjësi.

“VMRO DPMNE shpreh keqardhje të thellë në lidhje me tragjedinë e madhe dhe humbjen e jetës së bashkëqytetarëve tanë gjatë zjarrit në spitalin modular në Tetovë. I shprehim ngushëllimet më të thella familjeve të të vdekurve në tragjedinë e tmerrshme dhe urata të sinqerta për shërim të shpejtë të të gjithë të lënduarve nga katastrofa e tmerrshme e mbrëmshme”, thuhet në reagim.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në një konferencë për media, ka bërë thirrje që gjatë këtyre ditëve të zisë të respektohen viktimat, duke heshtur por, këto ditë të jenë ditë reflektimi.

“Këto gjëra nuk duhet të kalojnë nuk duhet të kalojnë pa përgjegjësi. Parapëlqej që këto ditë të respektojmë viktimat, duke heshtur dhe duke menduar mirë se çfarë po bëjmë dhe nga po shkojmë. Në gjendje normale, nuk do vinte që të thirremi në përgjegjësi morale të drejtuesve dhe të gjithë përgjegjësve, unë nuk dua të hyj në detaje. Fatkeqësi natyrore janë tërmetet për shembull. Por, vendet e civilizuara, popujt e civilizuar edhe në fatkeqësitë natyrore kërkojnë përgjegjësinë e faktorit njeri. Kjo e mbrëmshmja nuk është fatkeqësi. Janë ditë zie, të respektojmë viktimat”, tha Sela.

Edhe partia opozitare Alternativa, u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe ka kërkuar hetim të pavarur ndërkombëtar për zbardhjen e rastit.

“Me këtë rast, duke e pasur parasysh se ky zjarr i fuqishëm nuk ka ndodhur nga aksidenca, por nga neglizhenca e atyre që e kanë ndërtuar atë spital, nga ata që e kanë pranuar dhe lëshuar në përdorim atë, kërkojmë që sot dorëheqje të menjëhershme dhe të parevokueshme nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani, si dhe nga drejtorët e spitalit të Tetovës.  Po ashtu kërkojmë hetim të pavarur ndërkombëtar për ta adresuar përgjegjësinë penale. Është e patolerueshme që ata që dyshohet se janë fajtorë të këtij rasti sot të jenë anëtarë të shtabit të krizës”, thuhet në reagimin e Alternativës.

Ndërkaq, kryeministri, Zoran Zaev tha se informata zyrtare do të japin kur të kenë.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të afërmit e të ndjerëve dhe uroj shërim të shpejtë të lënduarve. Shkaqet e zjarrit do të përcaktohen, për të cilat autoritetet gjyqësore janë tashmë në terren”, ka shkruar Zaev në Facebook.

Ndërsa, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka shkruar se, “kërkojmë me këmbëngulje hetim të plotë, të thellë dhe të shpejtë rreth shkaqeve që shkaktuan kaq dhimbje për të gjithë ne.”

Nga ana tjetër, në kumtesën e BDI-së, kërkohet nga të gjitha institucionet kompetente të realizojnë hetim të plotë dhe të zbardhin rastin në tërësi, me ç‘rast të zbulohen arsyet e shkaktimit të zjarrit në Qendrën Kovid në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button