Filloi akomodimi në konviktet e Maqedonisë së Veriut, do të punojnë me kapacitet të plotë

Filloi akomodimi i studentëve në konviktet shtetërore. Duke filluar nga sot, gjatë dhjetë ditëve të ardhshme, studentët që morën krevat në ndonjë nga konviktet, do të mund të akomodohen duke nënshkruar një kontratë me konviktin ku janë pranuar, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Këtë vit në konvikte do të vlejnë protokollet e lëshuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit për Mbrojtje nga Sëmundjet Infektive. Ndryshe nga viti i kaluar kur u përgjysmua numri i studentëve të pranuar, viti akademik që po vijon do të fillojë me kapacitet të plotë akomodimi, pra gjithsej janë siguruar 2,445 shtretër, nga të cilët 1,216 shtretër në konviktin studentor “Goce Dellçev”, 739 në “Stiv Naumov” dhe 490 në “Kuzman Josifovski-Pitu”.

“Akomodimi po bëhet sipas protokolleve të lëshuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Studentët me përgjegjësi iu përmbahen masave, duke shmangur kështu turmat, dhe në koordinim me të gjithë punonjësit, procesi i akomodimit po zhvillohet me sukses” thanë nga Qendra Shtetërore e Studentëve.

Sipas protokolleve të përgatitura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, lëvizja brenda konvikteve lejohet vetëm me përdorim të detyrueshëm të maskës mbrojtëse dhe dezinfektuesve të vendosur në hyrje dhe në dhoma në secilën godinë të konvikteve. Është organizuar shërbim sigurie për të ruajtur rendin. Studentëve, gjatë pranimit, u jepen fletushka me këshilla për mbrojtjen dhe protokoll për qëndrimin e tyre në konvikte.

Hyrja është e ndaluar për prindërit, përveç për studentët me nevoja të veçanta arsimore.

Gjatë vitit akademik, në konvikte, do të ketë kontrolle të intensifikuara nga stafi, me qëllim shmangien e grupimit të studentëve në dhoma dhe në hapësirat e përbashkëta. Këtë vit, konviktet sigurojnë fonde edhe për higjienën dhe mirëmbajtjen e dhomave të studentëve.

Protokolle speciale janë paraparë gjatë kohës së ushqimit në mensat studentore.

“Tavolinat duhet të mbulohen me mbulesë të letrës ose najlonit për një përdorim, që do të ndërrohet pas largimit të secilit student. Takëmet duhet të ruhen dhe shërbehen në një qese najloni ose letre ose pecetë. Takëmet e përdorura, përveç se do të lahen me ujë të nxehtë, duhet të dezinfektohen me dezinfektues ”, thuhet në Protokollin për punë në konviktet shtetërore dhe objektet e tjera për akomodim.

Nëse në konvikt  shfaqet ndonjë person me Kovid-19 ose person, i cili ka qenë në kontakt me person tjetër që ka qenë i sëmurë me Kovid-19, sipas protokolleve, personi duhet të izolohet në një dhomë të veçantë, detyrimisht të mbajë maskë mbrojtëse, ndërsa drejtorët duhet të krijojë komunikim me Qendrën për shëndet publik për udhëzime për veprime të mëtejshme.

Lista e studentëve të vitit të dytë e më lartë, të pranuar në konviktet shtetërore u shpall të shtunën.

Ndryshe, sot fillon aplikimi për akomodim në konvikte për studentët e vitit të parë. Konkursi do të jetë i hapur deri më 24 shtator, ndërsa për studentët e vitit të parë janë siguruar gjithsej 1,249 vende. Nëse pas publikimit të listave përfundimtare të studentëve të pranuar në konvikte, ambientet e akomodimit mbeten të paplotësuara, aplikimi do të vazhdojë deri sa të plotësohen, por jo më vonë se deri më 15 nëntor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button