PDSH zyrtarizoi kandidaturën e Hevzi Jasharit për Komunën e Likovës

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka zyrtarizuar kandidaturën e Hevzi Jasharit për të marrë pjesë në garat e 17-të tetorit, për të qenë kryetar i Komunës së Likovës, si dhe listën e kandidatëve për këshillin komunal ku bartës do të jetë Ragmi Isufi, transmeton Portalb.mk.

“Dega e PDSH-së Likovë mbajti kuvendin e degës ku u zyrtarizua kandidatura e Hevzi Jashari për kryetar komune si dhe u miratua lista e kandidatëve për këshillin komunal që do të garojë në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit. Bartës i listës do të jetë z.Ragmi Isufi. Në këtë kuvend kandidati i PDSH-së për kreun e komunës së Likovës Hevzi Jashari elaboroi para kuvendit të  degës platformën me të cilën do të garojë në zgjedhje. Kjo platformë parasheh zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohen vendbanimet e komunës së Likovës siç janë uji për pije, kanalizimi, infrastruktuta rrugore, arsimi, kultura, si dhe projekte tjera me rëndësi për banorët e kësaj komune. Punimet e kuvendit të degës së Likovës i ndoqi edhe sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, z. Sali Ajdini”, thuhet në kumtesën e PDSH-së.

Nga PDSH gjithashtu njoftojnë se dega e PDSH-së Kumanovë mbajti kuvendin e degës ku u miratua lista e kandidatëve për këshillin komunal që do të garojë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Bartës i listës do të jetë Halil Kurtishi.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojnë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button