Mbi përmasat trishtuese të ekzodit të heshtur

Para tre vitesh shkrova për Portalb-in shkrimin me titull “Heeeej, ne po shuhemi”, me të cilin desha të xigëloj ndjeshmërinë tonë lidhur me shpërnguljen masive të të rinjve gjithandej botës në kërkim të një vendi ku do ta ndërtojnë të ardhmen e vjedhur nga pjesa hajdute e politikanëve.

Është e vërtetë se kurbeti dhe lëvizja e njerëzve nga një vend në tjetrin për të siguruar një jetë më të mirë është dukuri e vjetër që nuk lidhen vetëm me shqiptarët, por kjo që ndodh aktualisht tek ne nuk është kurbet, siç dëshirojnë ta paraqesin të babëziturit e vendit të çudirave. Kjo është gjëmë e paparë ndonjëherë në këto troje. Është ekzod me përmasa trishtuese. Është braktisje e përgjithmonshme e atdheut nga të rinjtë shpresëhumbur që, bashkë me familjet e tyre, ikin pa e kthyer kokën pas. Këto e bëjnë të pashembullt ekzodin që shembëllen me pogromet e ndodhura në kohëra trazirash e regjimesh satrape, kur njerëzit detyrohen të ikin nga sytë këmbët për të shpëtuar nga mynxyrat e së ardhmes gri, nga skamja dhe mizerja shumëdimensionale. Për dikë kjo mund të tingëllojë e tepërt, po merre nga ta marrish, braktisja e përnjëhershme e vendbanimeve shqiptare ka një shkas dhe ky shkas duhet kërkuar në taktikat e reja të pushteteve satrape të veshura tebdil me zhgune demokratike, që lënë të rinjtë pa punë, pa mundësi ekzistence dhe pa të ardhme, duke i dhënë kësisoj ekzodit tragjik pamjen e një largimi vullnetar dhe të padëmshëm të njerëzve nga vatrat e të parëve. Kjo ka bërë që shkretimi i frikshëm dhe i shpejtë i qyteteve dhe fshatrave tona të bëhet qetas dhe pothuajse pa zëra alarmues që duhej ta kishin bërë që moti çështje shuarjen në këste të etnisë sonë fatkeqë, duke mos lejuar relativizimin dhe rëndomësimin e të keqes nga lukunia e matrapazëve të babëzitur që hanë me lugë të praruara të ardhmen tonë.

Dhe askush mos të shtirret se nuk i sheh pasojat e kësaj tragjedie kombëtare që vin duke u thelluar. Ato janë të dukshme edhe nga zogjtë e hutit. Ato shihen në sheshet e shprazura të kasabave, në oborret e shkollave me numër minimal nxënësish, në fushat e sportit ku më nuk luan kush, në udhët e shkretuara, në dyqanet dhe kafenetë e mbyllura, në oxhaqet që nuk tymojnë, në dritaret me roletne të lëshuara, në portat e mbyllura që hapen tek-tuk nga pleqtë e mbetur pa më të dashurit, në sofrat që s’kanë për kë të shtrohen, në dasmat e rralluara, në barishtet që kanë mbuluar rruginat e shtëpive deri dje të mbushura me jetë e me dashuri, në fatalizmin e atyre që kanë humbur fillin e jetës, në arat e shndërruara në ferrishte, në kullotat pa bagëti dhe në besimin e humbur, për ringjalljen e të cilit duhet të luftojmë të gjithë, sa nuk është bërë tepër vonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button