Edhe më tej gjysma e amvisërive ngrohen me dru zjarri në Maqedoninë e Veriut

Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) tregojnë se drutë për zjarr mbeten burimi kryesor i energjisë që përdoret nga qytetarët për të ngrohur shtëpitë e tyre gjatë sezonit për ngrohjes. Pothuajse 49,18 % e familjeve në vend i ngrohin shtëpitë e tyre me dru zjarri ose dru të pemëve, thuhet në publikimin “Konsumi i burimeve për energji në amvisëri, 2019”, i cili u botua kohët e fundit nga ESHS, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Materiali i dytë më i përdorur për ngrohje të shtëpive është energjia elektrike, të cilën e kanë përdorur 31,3 % e familjeve në Maqedoni. Ngrohje qendrore kanë 10,25 % të ndërtesave të banimit, ndërsa briketat dhe peletat e drurit përdoren si lëndë djegëse nga 8,49 % e amvisërive gjatë muajve të dimrit.

Anketa e ESHS-së është realizua në një mostër prej 3.500 amvisërish, kurse pyetësorit iu përgjigjën 2.896 persona të përfshirë në mostrën nga i gjithë vendi. Rezultatet tregojnë se një pakicë e popullsisë përdor lëndë djegëse të tjera për të ngrohur shtëpitë e tyre: naftë për ngrohje (0,51 %), qymyr (0,17 %) dhe gaz të lëngshëm të naftës (0,10 %).

Të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2019 konsumi i druve të zjarrit për ngrohje të shtëpive ishte 970.715 metra kub. Në të njëjtën kohë, për ngrohje janë përdorur 4.350.878 kilogramë gaz të lëngshëm të naftës, ndërsa familjet kanë shpenzuar mbi 3 milion megavat orë energji elektrike për ngrohje, ftohje, gatim dhe gjëra të tjera.

Në vitin 2019, sipërfaqja mesatare e banesave në vend ishte 84.3 metra katrorë, ndërsa qytetarët e kanë ngrohur vetëm rreth gjysmën e sipërfaqes, pra 45,4 metra katrorë.

Dominimi i drunjve të zjarrit në ngrohjen e amvisërive në Maqedoni është shkaku kryesor i ndotjes së ajrit në vend. Ngrohja e shtëpisë është vërtetuar se është burimi kryesor i ndotjes së ajrit, veçanërisht në fushën e emetimeve PM-10. Anketa e UNDP #ShkupiPoNgrohet e realizuar nga UNDP zbuloi se të paktën 30 % e emetimeve totale të grimcave toksike në ajër në Shkup janë për shkak të ngrohjes.

Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor konfirmuan se shkalla e lëshimit të grimcave të dëmshme në ajër nga ngrohja me dru zjarri varet nga përdorimi i druve të zjarrit të thatë ose të lagur (druri i lagësht ndot ajrin shumë më tepër), se sa mirëmbajtja e stufave për ngrohje, si dhe nga procesi i duhur i djegies së drurit.

Pikërisht për të zvogëluar ndotjen e ajrit, qeveria në bashkëpunim me disa komuna në vend vitin e kaluar dhe këtë vit dha subvencione për instalimin e kondicionerëve inverter nëpër amvisëri, të cilat duhet të zvogëlojnë kryesisht përqindjen e përdorimit të druve të zjarrit nga familjet. Vitin e kaluar, Qyteti i Shkupit përdori fonde qeveritare në vlerë prej 322.400.000 denarë për këtë qëllim, këtë vit 107.404,.074 denarë janë siguruar për subvencione në kryeqytet, kurse fonde shtesë për kondicionerët inverter u ndanë për familjet në Manastir, Tetovë dhe Kërçovë si qytetet me ndotje të lartë të ajrit.

Megjithatë, të dhënat nga sondazhet e kryera nga ESHSH në të kaluarën tregojnë se qytetarët po bëhen më të vetëdijshëm për karburantin e përdorur për të ngrohur shtëpitë e tyre. Me kalimin e viteve, përqindja e familjeve që përdorin dru zjarri në muajt e dimrit po zvogëlohet.

Kështu, hulumtimi i mëparshëm mbi këtë temë i kryer nga punonjësit e statistikës në vitin 2014 tregon se dru zjarri dhe dru të pemëve janë përdorur nga 61.59 % e familjeve, 28.6 % e shtëpive atëherë janë ngrohur me energji elektrike, në ngrohje qendrore qasje kanë pas 8,33 % e shtëpive, ndërsa vetëm 0,87 % e objekteve të banimit ishin ngrohur me briketa druri dhe me peleta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button