Masat e reja kufizuese në Shqipëri për shkak gjendjes së Kovid-19

Në Shqipëri, Komiteti Teknik i Ekspertëve, forcoi masat parandaluese ndaj COVID-19, pas shtimit të infektimeve dhe vdekjeve nga koronavirusi gjatë verës, raporton VOA. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se “mbi 95 për qind e infektimeve të reja u përkasin personave të pavaksinuar ende”.

Ashtu si gushti edhe shtatori do të jetë muaj i hapur për vaksinim të shpejtë të popullatës.

Qarkullimi për banorët do të ndalohet nga ora 11 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit, ndërsa u vendosën një seri masash të tjera për udhëtarët, që hyjnë në Shqipëri nga të gjitha pikat kufitare.

Ata duhet të kenë pasaportën e vaksinimit, një test negativ brenda 72 orëve të fundit, si dhe një provë se e kanë kaluar infektimin me Sars-Cov2 në 6 muajt e fundit. Shtetasit shqiptarë që kthehen nga jashtë dhe nuk i kanë këto dokumenta, do të vet-izolohen për 10 ditë nën kontrollin e autoriteteve shëndetësore.

Në aeroporte do të lejohen vetëm udhëtarët me maska, të pashoqëruar nga familjarët e tyre. Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit rekomandoi vaksinimin e detyruar për stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët brenda 30 shtatorit.

Ekspertët lanë në fuqi urdhërin mbi përdorimin e maskave në mjedise të mbyllura, në qendra tregtare, transport publik dhe në të gjitha mjediset, ku nuk ka distancim fizik mes njerëzve.

Gjobat për qytetarët që nuk mbajnë maskat mund të shkojnë nga 30 deri në 50 dollarë. Ndërsa për bizneset që nuk respektojnë protolkollet e shëndetësisë gjobat mund të shkojnë nga 1 mijë deri në 7 mijë dollarë.

Shqipëria ka humbur zyrtarisht gjatë një viti e gjysmë të pandemisë 2 mijë e 490 jetë njerëzore, dhe ka pasur rreth 143 mijë infektime.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button