Ronaldo largohet nga “Zonja e vjetër” për të shkuar te ekipi i vjetër

Cristiano Ronaldo rikthehet te Manchester United. Plot 12 vite pas lamtumirës së bujshme nga “djajtë e kuq”, me të cilët luajti për 6 sezone dhe fitoi gjithçka si në aspektin personal, ashtu edhe atë ekipor, CR7 rikthehet sërish në “Old Trafford” për të rizgjuar ëndrrat e “të kuqve” të Manchesterit, raporton SS.

Portugezi shkoi për herë të fundit në qendrën stërvitore të Juventusit paraditen e sotme, ku pasi “mblodhi plaçkat” e tij, u përshëndet me të gjithë të pranishmit dhe më pas me një fluturim privat, u largua përfundimisht nga Torino, por pa e ditur ende cili do të ishte destinacioni i tij final.

Prej disa ditësh flitej për një transferim të tij te Manchester City, teksa mediat britanike aludonin edhe për biseda telefonike mes Ronaldos e Guardiolës, si dhe futbollistëve portugezë që janë tashmë pjesë e “citizens”.

Megjithatë në orët e fundit klubi me qendër në “Etihad Stadium” vendosi të tërhiqej nga gara dhe nga kjo përfitoi maksimalisht Manchester United, që duke shfrytëzuar edhe lidhjen e fortë shpirtërore me Ronaldon, e bindi të rikthehej në “Old Trafford”.

Lajmin për arritjen e marrëveshjes e dha vetë klubi i Manchester United, ndërsa mediat britanike zbulojnë se akordi me Juventusin u arrit për shifrën e 28 milionë eurove dhe vetë Ronaldo do të firmosë për dy sezone me “djajtë e kuq”.

“Manchester United ka kënaqësinë të njoftojë se klubi ka arritur një marrëveshje me Juventusin për transferimin e sulmuesit Cristiano Ronaldo, 5 herë fitues i topit të Artë dhe triumfator në mbi 30 kompeticione madhore, përfshi 5 herë në Ligën e Kampionëve, 4 Botërorë Klubesh, 7 tituj kampionë në Spanjë, Angli e Itali dhe një kampionat Europian me Portugalinë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e klubit anglez.

Cristiano Ronaldo veshi fanellën e Realit të Madridit në verën e 2003-shit, kur ishte vetëm 18-vjeçar, pa eksperiencë mbi supe, por në 6 vite qëndrim aty, u rrit ndjeshëm, duke fituar gjithçka, teksa në 292 ndeshje, arriti të shënojë edhe 118 gola.

Tani portugezi rikthehet me 36 vite mbi supe dhe shumë më tepër eksperiencë, pas një karriere vërtetë të lavdishme, por misioni mbetet sërish i njëjti, të fitojë sërish gjithçka me “djajtë e kuq” të Manchesterit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button