Liqeni i Ohrit me një pikë për matje, institucionet pa kuadro dhe pajisje për monitorim adekuat të ujërave

Nuk ka kuadro, as pajisje për monitorim adekuat të liqeneve, lumenjve dhe akumulimeve në vend, tregon hulumtimi i Qendrës për analiza ekonomike (QAE). Analiza, e publikuar në kuadër të fushatës “Kthjellohu”, të cilën e zbaton Instituti për studime të komunikimit, në bashkëpunim me Ambasadën e Britanisë, tregon që mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe instrumenteve bazike për matje janë shkaqet kryesore për zhvillimin e pamjaftueshëm të monitorimit hidrologjik të liqeneve natyrore, lumenjve dhe akumulimeve në Maqedoni, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Qendra për analiza ekonomike (QAE) zbatoi monitorim të Drejtorisë për punë hidrometeorologjike, Ndërmarrjes publike për ekonomi të ujërave “Lisiçe”, hidrosistemin “Zletovicë” dhe Elektranat e Maqedonisë së Veriut, prej nga rezulton që DÇHM dhe “Zletovica” nuk kanë kapacitete të mjaftueshme njerëzore për kryerje të monitorimit, si në tre liqenet natyrore – të Ohrit, të Prespës dhe të Dojranit ashtu edhe në akumulimin “Knezhevë”.

“Institucionet nuk kanë kuadër të kualifikuar që mund t’i zëvendësojë të punësuarit të cilët shkojnë në pension. Numri i të punësuarve në Sektorin për hidrologji pranë DÇHM është në rënie të vazhdueshme. Nëse në fillim të formimit të drejtorisë ka pasur 35 të punësuar në Sektor, sot ka vetëm 12 të punësuar. Edhe numri i monitoruesve zvogëlohet në vazhdimësi, ashtu që nga qindra monitorues për ujërat sipërfaqësore, në këtë moment punojnë vetëm 60, ndërsa nga 115 monitorues për ujërat nëntokësore, aktualisht punojnë vetëm 40. Për shkak të kompensimit të ulët nuk mund të gjenden persona të ri të cilët çdo ditë do të dalin në terren, do të lexojnë të dhëna dhe para se gjithash do të mbajnë përgjegjësi për cilësinë dhe autenticitetin e të dhënave. Kështu për shembull, pika e matjes në Asamati për matje të nivelit të ujit të Liqenit të Prespës nuk punon thuajse 20 vite për shkak se nuk ka monitorues. Së këtejmi, vihet në pikëpyetje sa është adekuate dhe si zbatohet rregullorja ligjore për menaxhim me resurset ujore, sa janë efikase politikat publike dhe nëse në mënyrë adekuate shpërndahen mjetet publike për mbrojtjen e ujërave”, pyesin nga Instituti për studime të komunikimeve.

Përveç kapaciteteve njerëzore, në raport thuhet që mungojnë edhe instrumente bazë hidrologjike për matje. Nga gjithsej 110 stacione hidrologjike për ujërat sipërfaqësore, për momentin operative dhe të siguruara me monitorues janë vetëm 66. Sa u përket stacioneve hidrologjike automatike, deri tani janë vendosur 31 stacione automatike, nga të cilat vetëm 12 janë operative.

“Nga katër stacione matëse në Liqenin e Ohrit, punon vetëm një. Për Liqenin e Dojranit, nga dy stacione matëse, gjithashtu operative është vetëm një stacion edhe atë me instrumente të vjetra. Për Liqenin e Prespës, nga tre stacione matëse dy janë në funksion. Në anën tjetër, Ndërmarrja Publike për ekonomi të ujërave “Lisiçe” nuk ka në dispozicion sa instrumente themelore matëse (qepër matëse) për matjen e nivelit të ujit në akumulimin “Lisiçe”, informojnë nga “Kthjellohu”.

Buxheti i kufizuar me të cilin menaxhon DÇHM tërësisht e vështirëson procesin e monitorimit hidrologjik mbi liqenet natyrore. Stacionet automatike më së shpeshti janë siguruar me donacione, ashtu që përmirësimi i monitorimit hidrologjik në ujërat sipërfaqësore varet nga mjetet e donatorëve, me çka është rrezikuar qëndrueshmëria.

Në raport rekomandohet që Qeveria dhe në Ministrinë për Mjedis Jetësor të sigurohet buxhet më i madh dhe i rregullt për DÇHM dhe institucionet tjera në veprimtarinë hidrologjike për të blerë pajisje moderne të re dhe t’i zmadhojnë kapacitetet njerëzore, ndërsa qytetarët të kenë qasje të lirë te të dhënat për nivelin e ujit dhe cilësinë e ujërave në liqenet dhe lumenjtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button