Macron vlerësoi që situatë është shumë e tensionuar në Kabul

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se situata në Afganistan është përkeqësuar shumë dhe se ajo është jashtëzakonisht e tensionuar rreth aeroportit të Kabulit, raporton REL

“Ne po përballemi me një situatë jashtëzakonisht të tensionuar”, tha Macron në një konferencë për media së bashku me kryeministrin irlandez Micheal Martin.

Presidenti francez bëri thirrje për kujdes. Ushtria amerikane konfirmoi të enjten se një shpërthim ka ndodhur jashtë aeroportit të Kabulit në Afganistan. Ministria turke e mbrojtjes thotë se ka pasur dy shpërthime.

“Ne mund të konfirmojmë se shpërthimi pranë aeroportit të Kabulit ka rezultuar me një numër të panjohur viktimash”, tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby në një postim në Twitter.

Agjencia Reuters citon një zyrtar amerikan të ketë thënë se sipas një raporti fillestar shpërthimi është shkaktuar nga një sulmues vetëvrasës, por ai paralajmëroi se ky informacion mund të ndryshojë.

Presidenti amerikan, Joe Biden është informuar për incidentin, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Ka pasur disa raportime për të shtëna me armë.

Një zyrtar taliban ka thënë se të paktën 11 persona janë vrarë në sulmin në aeroportin e Kabulit. Zyrtari tha se në mesin e viktimave kishte gra dhe fëmijë dhe se një numër i rojeve talibane ishin plagosur. Ky informacion nuk është konfirmuar.

Ndërkohë mediumi Tolo News i Afganistanit raportoi se një numër i të plagosurve nga shpërthimi janë transportuar në një spital lokal.

Më herët, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore i paralajmëruan qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga zonat përreth aeroportit të Kabulit, për shkak të kërcënimeve për një sulm terrorist. Më shumë se 82,000 njerëz janë nxjerrë tashmë me aeroplanë nga Kabuli, i cili ka rënë në duart e talibanëve më 15 gusht. Vendet po nxitojnë t’i evakuojnë njerëzit deri në afatin e 31 gushtit.

Mijëra njerëz janë ende duke pritur brenda dhe jashtë aeroportit, me shpresën se do të mund të largohen.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kabul i këshilloi qytetarët amerikanë që të shmangin udhëtimin në aeroport dhe tha se ata që tashmë janë në portat e tij, duhet të largohen menjëherë, për shkak të “kërcënimeve të sigurisë”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka caktuar 31 gushtin si afat për përfundimin e evakuimit të njerëzve dhe të tërheqjes së trupave amerikane, që ruajnë aeroportin. Biden ka përmendur kërcënimet terroriste nga dega rajonale e grupit militant Shteti Islamik si arsye për mbajtjen e këtij afati. Dega e Shtetit Islamik në Afganistan dhe Pakistan ka qenë përgjegjëse për disa nga sulmet më vdekjeprurëse në këto vende, viteve të fundit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button