Teatri i Tetovës pritet të jetë gati në fund të 2023, aktorët dhe biblioteka mbeten në kushte të vështira

Objekti i ri i Teatrit të Tetovës premtohet thuajse njëmbëdhjetë vite. Punët për të vazhdimisht janë zvarritur. Ende pritet të fillojë faza e dytë e ndërtimit për të cilën sipas Ministrisë së Kulturës, janë ndarë 90 milionë denarë për këtë fazë dhe pritet të jetë gati në vitin 2023. Nga ana tjetër drejtori i Teatrit të Tetovës, Bekim Smaili dhe drejtoresha e bibliotekës “Koço Racin”, Rezarta Dervishi për Portalb.mk ritheksuan problemet me të cilat përballen tani e disa vite nga mungesa e hapësirave të nevojshme, dhe se janë në pritje të fillimit të fazës së dytë të punimeve.

Irena Stefoska
Irena Stefoska

Më 23 gusht, ministrja e Kulturës, Irena Stefkoska tha se mjetet për Teatrin e Tetovës janë ndarë dhe se të njëjtat janë të mjaftueshme për përfundimin e objektit.

“Për teatrin janë ndarë mjete, këtë vit vazhdojnë aktivitet në Teatrin e Tetovës. Nga Ministria e Kulturës janë siguruar mjete, siç jam e informuar dhe në procedurë është thirrja publike. Për më shumë detaje, ju kisha lutur drejtohuni tek drejtori i Qendrës për Kulturë dhe Teatër në Tetovë”, tha ministrja Stefkoska.

Rikujtojmë se projekti i cili ishte dërguar Qeverisë së RMV-së në dhjetor të vitit të 2019, është miratuar një vit më pas.

“Ju informojmë se projekti për ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovës bën pjesë në projektet kapitale të ministrisë së Kulturës. Janë miratuar 90 milionë denarë për vitin 2021” deklaruan nga Ministria e Kulturës në dhjetor 2020.

LEXO: RMV, 150 mijë euro janë ndarë për teatrin e ri në Tetovë, nuk dihet për çka do të shfrytëzohen konkretisht

Bekim Smaili
Bekim Smaili

Drejtori i Teatrit të Tetovës, Bekim Smaili për Portalb.mk tha se janë të informuar se janë siguruar mjetet e nevojshme nga buxheti shtetëror për fillimin e fazës së dytë që pritet të fillojë së shpejti, megjithatë pa përmendur shifra.

“Faza e dytë e ndërtimit ka të bëjë me punimet në interior siç janë instalimi i rrymës, ujit, fasada nga brenda, klimatizimi, mekanika e skenës dhe punë tjera që janë specifika të teatrit”, tha Bekim Smaili.

Rezarta Dervishi
Rezarta Dervishi

Kontaktuam edhe drejtoreshën e bibliotekës “Koço Racin” , Rezarta Dervishi e cila tha se informata më të sakta kanë drejtuesit e pallatit të kulturës, megjithatë theksoi se janë në pritje të fillimit të fazës së dytë të ndërtimit.

“Faza e parë e punimeve në objektin e ri të teatrit dhe bibliotekës veç më ka përfunduar. Tani në plan është fillimi i ndërtimit të fazës së dytë. Sipas informatave të cilat i kemi nga Ministria e Kulturës, ata janë në përpjekje të vazhdueshme që sa më shpejtë ky objekt të vihet në funksion dhe mendohet që punimet duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2023”, tha Rezarta Dervishi.

Të njëjtën pohoi edhe drejtori i Teatrit të Tetovës ku tha se nëse punët shkojnë  ashtu siç u kanë thënë, pritet të përfundojë deri në vitin 2023/24.

Edhe pse ka kohë deri atëherë, teatri dhe biblioteka vazhdojnë të kenë vështirësi të mëdha.

Drejtoresha e bibliotekës tha se funksionojnë në një hapësirë prej 200 metra katror, ku në këtë hapësirë janë të sistemuara: sektori për fëmijë, sektori për të rritur dhe sektori për përpunim profesional të materialit bibliotekar.

“Në mungesë të hapësirës së nevojshme, një fond i konsiderueshëm i bibliotekës është i vendosur në hapësira jofunksionale, prandaj edhe lexuesi në këto kushte nuk mund të arrijë deri te libri i nevojshëm.  Me këto vështirësi përballen në përditshmëri si lexuesit ashtu edhe të punësuarit në bibliotekë. Shpesh jemi të kufizuar edhe në furnizimin me tituj të ri nga shkaku i mungesës së hapësirës për ti sistemuar këto tituj”, tha Rezarta Dervishi.

Aktorët mungesën kryesore e kanë skenën e cila do ti shërbente vetëm Teatrit të Tetovës

“Mungesa kryesore është skena e teatrit, sepse skena e qendrës për kulturë(pallatit) shfrytëzohet për të gjithë aktivitetet tjera kulturore  të qytetit të Tetovës, dhe të gjitha mungesat tjera janë të aspektit infrastrukturor”, tha Bekim Smaili, duke theksuar se pavarësisht kushteve kanë funksionuar prej 14 viteve kështu dhe nuk e kanë lënë publikun tetovar pa shfaqe teatrale.

Nga Teatri dhe Biblioteka e Tetovës theksuan se janë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Kulturës.

“Na është premtuar që në bashkëpunim me drejtorin e teatrit dhe drejtorin e pallatit, do të gjendet një zgjidhje e përkohshme, ku bibliotekës do t’i jepet një hapësirë shtesë brenda Pallatit të Kulturës, e cila sado pak do ndihmojë në funksionimin dhe punën e përditshme të bibliotekës”, tha Rezarta Dervishi.

Zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani.
Zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani.

Rikujtojmë që Zëvendësministri i Kulturës Sedat Sulejmani, në një intervistë për Portalb.mk në lidhje me rrjedhën e punëve për ndërtimin e teatrit të ri në Tetovë tha se gjasat janë të mëdha që ky objekt të jetë gati në fund të vitit 2023.

Premtohet nga viti 2010!

Në pyetjen e Portalb.mk për arsyet e zvarritjes të procedurës për ndërtimin e këtij teatri, zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, nuk deshi të përgjigjet, duke shtuar se pyetja duhet të drejtohet diku tjetër.

“Nuk mund të flas për të kaluarën se pse janë zvarritur punimet. Mendoj se kjo pyetje duhet t’i parashtrohet dikujt nga e kaluara” tha Sulejmani.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.

Kostoja e fazës së parë për ndërtimin e objektit ishte projektuar në 13.5 milionë euro ndërsa me rregullimin e brendshëm çmimi arriti në 40 milionë euro.

Me ndërtimin e kësaj qendre do të zgjidhet problemi hapësinor për më shumë institucione, si teatri, biblioteka, qendra e kulturës e të tjera, të cilat funksionojnë në një vend prej disa vitesh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button