Marrëveshje SHBA-Shqipëri për mbrojtjen e pasurive kulturore

Në luftën kundër kontrabandës së objekteve të trashëgimisë kulturore, Shqipëria ka edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara. Kjo përkrahje u zyrtarizua dje me nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtjen e pasurisë kulturore, shkruan Zëri i Amerikës.

Ceremonia e nënshkrimit zyrtarizon përfshirjen e Shqipërisë në listën e 24 vendeve në botë që kanë marrëveshje partneriteti me Shtetet e Bashkuara për të penguar nxjerrjen, trafikimin dhe tregtimin e objekteve të pasurisë kulturore.

Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë për Çështje Kulturore, Matthew Lussenhop, i cili nënshkroi marrëveshjen në emër të Shteteve të Bashkuara, sheh përpara pista të shumta bashkëpunimi në luftën kundër kontrabandës së artifakteve historike e kulturore:

“Përmes Marrëveshjeve për Pasuritë Kulturore, si kjo që nënshkruam sot, ne mund shkëmbejmë ide, praktikat më të mira, të bëjmë trajnime, të identifikojmë prioritetet në mënyrë që të pengojmë trafikimin e objekteve kulturore e historike,” thotë Lussenhop.

Shtetet e Bashkuara, shton zyrtari i lartë amerikan, kanë investuar prej kohësh për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë:

“Përmes programeve të Departamentit të Shtetit për Pasuritë Kulturore kemi ofruar mbështetje për riparimin e objekteve historike të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Po ashtu përmes këtij programi mund të ofrojmë trajnime për personelin e doganave apo policinë për t’i ndihmuar të identifikojnë objektet e trafikuara,” shpjegon zyrtari amerikan.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti thotë se Shqipëria ka punuar në një numër frontesh për të forcuar kuadrin ligjor dhe kontrollin për t’i prerë rrugën kontrabandës së pasurive kulturore të vendit. Kjo punë ka tani edhe përkrahjen zyrtare të Shteteve të Bashkuara:

“Kjo marrëveshje dhe ky partner strategjik për ne ishte ambicja më e lartë dhe për të cilën jam shumë krenare që arritëm ta finalizonim në një kohë rekord,” thotë Margariti.

Përpjekjet e bëra po japin rezultate, shprehet ministrja, duke folur për rolin që kanë luajtur marrëveshje të ngjashme bashkëpunimi me fqinjët në Ballkan:

“Kemi bërë shumë që Shqipëria të dalë nga listat e Interpolit, ku specifikohej si vend origjine i trafikimit të pasurive kulturore dhe tani kemi disa raste sporadike të trazitit nëpërmjet Shqipërisë. Kemi bërë hapa të mirë bashkëpunimi me vendet e Ballkanit, ndër to me Maqedoninë e Veriut për kthimin e disa ikonave të vjedhura, të gjetura në vendin tone,” thotë Ministrja Margariti.

Nxjerrja e paautorizuar e thesareve të antikitetit dhe shitja e tyre në treg të zi është një biznes që sipas UNESCO-s, përllogaritet në 10 miliardë dollarë në vit. Por kostoja e tij më e rëndë është gjymtimi i trashëgimisë së një kombi.

“Shqipëria, si vend i lashtë, me një trashëgimi kulturore shekullore, është e kërcënuar nga plaçkitësit dhe trafikantët e artifakteve. Këto objekte që vidhen shpesh ushqejnë me fonde terrorizmin ose krimin ndërkombëtar, por plaçkitja e tyre u privon shqiptarëve një element të rëndësishëm të identitetit të tyre kombëtar”.

Këto objekte janë gjithashtu esenciale për turizmin kulturor që mbetet një sektor me potencial në rritje për Shqipërinë, sipas Ministres Margariti:

“Në 2019 kemi pasur rekordin e turizmit kulturor, turistët arritën mbi 1 milion në parqe arkeologjike dhe në muze. Ka qenë një numër rekord që nuk e kishim arritur më parë”.

Ajo pohon se pjesa më e madhe e turistëve kanë qenë të huaj, por shton se mbyllja gjatë pandemisë u dha shqiptarëve mundësinë të rizbulojnë thesaret e vendit.

Ministria e Kulturës po i kushton një vëmendje të veçantë turistit të brendshëm përmes programit “Të Njohim Rrënjët Tona” për t’i lidhur më fort shqiptarët me trashëgiminë kulturore të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button