Pas pesë muajsh, në RMV u tejkalua shifra e gjysëm milioni të vaksinuarve me dy doza

Pesë muaj pas fillimit të imunizimit të popullatës kundër virusit korona, Republika e Maqedonisë së Veriut e ka tejkaluar shifrën e 500 mijë të vaksinuarve me dy doza, shkruan Portalb.mk.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vaksinimi në të gjithë vendin zhvillohet pandërprerë në të gjitha pikat e vaksinimit. Deri më tani, sipas ministrisë gjithsej janë aplikuar 1.177.911 doza të vaksinave, ndërsa 503.401 qytetarë janë rivaksinuar.

“Gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar gjithsej 14.712 qytetarë, me çka dozën e parë të vaksinës dje e kanë pranuar 13.108 qytetarë. Sipas të dhënave të fundit 70 përqind e popullsisë mbi 70 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, 68 përqind e popullsisë mbi moshën 65 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, 64 përqind e popullsisë mbi moshën 60 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, dhe 55 përqind e popullsisë mbi 50 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.” njoftoi ministria.

Ndryshe, dje filloi fushata për vaksinimin e popullatës, si mundësi e vetme për të parandaluar përhapjen e virusit. Fushata “Vaksinohu”, sipas kryeministrit Zoran Zaev, vjen si nevojë urgjente pas rritjes së numrit të të infektuarve dhe viktimave me Kovid-19, por edhe hezitimit të një kategorie të qytetarëve për të marrë vaksinën kundër koronavirusit.

Ministri Venko Filipçe tha se statistikat që bënë treguan se në qytetet ku ka shkallë të lartë të imunizimit si Manastiri, Ohri dhe Gjevgjelia, nuk ka presion nëpër spitale, ndërsa atje ku qytetarët nuk janë të vaksinuar siç janë Tetova dhe Gostivari, spitalet janë të mbingarkuara dhe ka numër të lartë vdekjesh.

Zaev dhe Filipçe bënë thirrje që të vaksinohen të rinjtë, të cilët nuk vaksinohen në një përqindje të madhe dhe thanë se masat që i vendosën me ndalimin e hyrjes në kafene dhe bare kanë dhënë rezultate dhe numri i qytetarëve të imunizuar është rritur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button