Nesër pritet të arrijë grupi i parë i afganëve në Maqedoninë e Veriut

Autoritetet zyrtare të Maqedonisë së Veriut, kanë bërë të ditur se gjatë ditës së premte, pritet të arrijë grupi i parë i qytetarëve nga Afganistani, duke theksuar se koha e saktë e arritjes së tyre, do të varet nga rrethanat në aeroportin e Kabulit, raporton REL.

“Unë pres, nëse gjithçka shkon sipas planit dhe informacioneve që kam, nesër të arrijnë qytetarët e parë (nga Afganistani) po edhe gjatë fundjavës, për strehim këtu”, ka bërë të ditur të enjten në një konferencë për media kryeministri, Zoran Zaev.

Ai edhe një herë ka nënvizuar se të gjithë qytetarët duhet të jenë krenarë, pasi Maqedonia e Veriut është nga shtetet e para që iu bashkua Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’iu përgjigjur në thirrjen e tyre për strehim të afganëve, pasi Afganistani ra në duart e talibanëve.

“Pritet të arrijnë më shumë fluturime. Por, ajo që deri më tani e kemi të konfirmuar, pritet të arrijnë rreth 450 afganë, mund të paraqiten edhe 50, 70 a 90 persona të tjerë. Ashtu siç do të marrim konfirmim, këtë informacion do ta ndajmë me opinionin”, ka theksuar për mediat, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Transporti i afganëve drejt Maqedonisë së Veriut, bëhet nën organizimin e SHBA-së dhe organizatave ndërkombëtare, te të cilat këta persona kanë qenë të angazhuar.

Autoritetet qeveritare kanë theksuar se strehimi i afganëve është për një kohë të caktuar, pasi ata, pas përgatitjes së dokumentacionit, do të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose në vende të tjera si destinacioni i tyre përfundimtar, megjithëse nuk kanë bërë të ditur se për sa kohë saktësisht bëhet fjalë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button